5.2.16

HATAJA


“Buzë trotuarit e qiva fort…”, vazhdoi recitimin poeti.
Ra heshtja. Zërat u shuan, të qeshurat u fikën dhe për një çast u duk sikur jeta ndaloi me një urdhër suprem që vinte nga përtej kubesë së errët të sallës.
Ishin bërë të modës mbrëmjet letrare në kryeqytet. Një alternativë më joshëse se katër muret e shtëpisë , interneti i ngadalshëm, tritoli i shpeshtë dhe kafenetë ku makiatoja porositej e ëmbël dhe pa arsenik.
Në sallë gjeje lloj lloj tipash, moshash e karakteresh. Femra të bukura shalëholla dhe zemërgjëra, burra të krekosur që buzëqeshnin pa shkak, deputetë të sertë në kërkim të imazhit të munguar artistik, çuna të fuqishëm e muskulozë që vinin aty për të gjuajtur studente delikate të arteve, poseduese arrogante facebook-u që javës së ardhshme do gdhiheshin autore, gazetarë të varur në kremastarin përkatës, artistë të dështuar me xhaketa të kuqe dhe shpirt të zi, homoseksualë krenarë, gra të dëshpëruara në prag të divorcit apo të menopauzës, njerëz pa histori, njerëz me histori, konsumatore bananesh dhe bastexhinj të moderuar, biznesmenë me nofulla katrore të shoqëruar nga bashkëshortet dhe këto të fundit nga celularët dhe celulitet, si dhe duhanxhinj, pijanecë dhe kurvarë anonimë, domethënë“popull i thjeshtë”, si ç’quhej me dashuri në fjalorin tradicional vendas ajo pjesë e popullatës që “nuk dilte në televizor”.
“Buzë trotuarit e qiva fort…”, përsëriti poeti.
Heshtja u bë edhe më e rëndë. Pothuajse vrastare.
Nganjëherë heshtja pengon më shumë se një stërkëmbësh. Sidomos fjalën. Poeti kish mbetur i palëvizur në mes të skenës, por e vazhdoi recitimin.
“…e qiva fort….”
“...e qiva…”
Papritur heshtja e sallës u thye dhe u kthye në një katarakt sharrjesh mbi poetin. Dukej se nderi i spektatorëve të indinjuar ishte nëperkëmbur keqazi nga ato pak fjalë, ndaj duhej vënë në vend.
“Shkërdhatë poet, bythqirë, imoral, të qifsha robtë, gruan, motrën, pragun e shtëpisë, fuck you…fuck you…fuck you….fuck you...fuck you...fuck you....fuck you...fuck you...fuck you...fuck you...fuck you...fuck you...fuck you...fuck you...fuck you...”
“I fucked her, too”, belbëzoi në gjuhën e sallës poeti dhe u largua nga skena, ndërsa ovacione e duartrokitje mbushën sallën, veshët e së cilës më në fund u qetësuan nga fjalët e fundit të poetit. Fjalë lakuriqe të veshura më kostumin e huaj të gjuhës firmato, firmato si çdo gjë tjetër që u ish dhënë për të ngrënë e veshur trupave lakuriq që mbushnin sallën …
©Artan Gjyzel Hasani