3.2.16

DE PROFUNDIS


një jetë e tërë mund të mos mjaftojë për dy që duhen
nga grindjet të lodhen
të neveriten
të ikin për fare
dhe pak sekonda mjaftojnë për të ndjerë dashurinë
kur s’është prangë,
por veç ajër…
ma merr fytyrën në duar
më sheh thellë në sy
më heton
më huton
më zhbiron
më merr erë
më njeh
më thua “je ti”
më puth
më…
më…
edhe më…
mmmmmmmmmm
butë si dëborë krishtlindjesh mbi pellush
gjatë si koha në orën ku numrat janë fshirë
thellë si gjarpërushja kur humbet në gëmushë
symbyllur si nata mbi pasqyrë
lagësht si dritë e agut në gjethin me vesë
dhe pastaj…
lule- pritje çthurin buzët e tua
mbi penelopat e lëkurës sime
dhe unë ringjallem si fjala kur thuhet
dhe për të njëmijtën herë
në qiellin e errët të gojës tënde
i ndez yjet dhe vdes…
© Artan Gjyzel Hasani