2.2.16

ANA KETEJ E TJETRIT


njeriu qënka udhë e pambaruar e syrit qorr
fole mbushur me vezë që s’dihet çfarë çelin
urë që niset për andej nga vetja vdes
pa e prekur kurrë anën këtej të tjetrit
njeriu është ura ku kalon veç vetë
dhe lumi që rrjedh nën të është vetë ai
pasqyra ku qielli puth veten përmbys
si njeriu kur kupton që ai vetë është tjetri…
por kur drita verbohet e bardhë bëhet hija
djepi ku të tashmen përkund e shkuara
andejana e vetes dhe ana këtej e tjetrit
këmbët mbi të cilat duhej ngritur ura…
është karma, arkëmort fundjeta, mallkim
të bësh dashuri me veten në prani të tjetrit…
këto mendova në mes të Parisit të ndritur
kur pranë urave me harqe mbi Senën e vjetër
një i përbuzur më kërkoi një përqafim…
zgjodha një nga vetet e mia më të mira
të varur madhërisht në kremastarët
e vesha dhe krahët atij ia zgjata,
por nuk më ngjante, diçka me ndalte,
dhe lakuriq u ndjeva zhveshur nga tjetri
version modern i përrallës së Andersenit
lakuriq mbreti
lakuriq edhe oborrtarët…
©Artan Gjyzel Hasani