28.1.16

PERSERI E DIELE


nën ombrella tingujsh fluturat largohen
dhe muzgu në pëllëmbë të mbrëmjes vetveten mbyll
aq ëmbël…
aq butë…
brengplotë …
si melankolia
në sytë e hiroshimtë të japonezes
kur me një amerikan bën dashuri…
dhe unë në në këtë orë
në shtëpinë time kthehem…
aty ku paqja është rutinë
dhe luftërat humbfitohen në qetësi…
do shtrihem në divanin tim të preferuar
përballë kolltukut të saj...
laptop…
cigare…
bajame të pjekura
natyrisht dhe ca Jack Daniel's
për të qetësuar qejfe të mbetura…
Pinkerton pa Madamë Butterfly…
do përkëdhel me sy hamsterin e ngratë
që rrotën në cdo rrotullim zbulon…
lavjerrësin e orës që kurrë nuk mëson
cfarë ndodh përtej castit që mat…
freskuesen e palodhur në tavan...
qiriun erëmirë që mbi një pjatëz përflaket...
rrobat në lavatrice që vorbullës së shkumës
i jepen plot shpresë si e premtja të shtunës
dhe ndjej te mos dua t'i dorëzohem
kësaj vdekje aromatike të rrumbullakët...
pastaj do hedh vështrimin tim
mbi ketë grua te mire që kafenë e re
të saponxjerrë nga mulliri i vjetër
ka vënë në zjarr
ndërsa xhezven bashkëshortore
me lugën legjendare përzien
dhe heshturazi kërkon të dijë
se cfarë bluaj në mendjen time
sa herë që frymë thellë marr…
por…hej…
ca gjëra mund të jenë vërtet ndryshe
ose ndryshe mund të kishin qenë
puthjet…qirjet…prekjet
e teksa dremitja ëmbël më nanuris
kuptoj se s’kemi fuqi të ndryshojmë
as veten…traumat…sikletet…
…………………………………..
arritëm aq herët këtu ku jemi…
tashmë është vonë…
shumë vonë…
dhe gjërat nuk mund të jenë kurrë ndryshe
duke mbetur përsëri të njëjtët…
(nga libri "Mëkatari")
©artangjyzelhasani