Folëm për ty, për mua dhe për ne,
për vargjet që shkruajtëm aq bukur,
folëm për avujt që kthehen në re,
dhe për qiejt brenda syve strukur…
Folëm për motin, provimet, homoseksualët,
për pellgjet, yjet, horoskopin, retë,
për muzikën, orgazmat, Shtrausin, talebanët
dhe për aromën e bukës që gatuan vetë…
Folëm për pemët, gjethet dhe stinët
për çarçafë mes shalëve ngatërruar,
për Lolitat fluturake dhe Marien
(dhe mbathjet e saj pa harruar…)
Folëm për fëmijët dhe bashkëshortët,
për të djeshmen mbi të sotmen shtrirë…
për dasmat, gëzimet dhe mortet
e për të ardhmen që lindi e ngrirë…
Folëm për rrugët, rrugicat dhe kryqëzimet,
për kujtimet që një hije dritën ua zë,
për Udhën e Qumështit ku janë anulluar takimet
dhe për gjinj ku qumësht s’ka më…
Folëm dhe për fjalët që s’shkruhen, por fliten,
për jo-të dhe po-të, të njëjtat ngahera,
folëm edhe për fjalët që dridhen e përdridhen,
edhe për fjalët që dot s’i mori era…
Folëm aq shumë, sa shumë fjalë, sa shumë…
heshtëm për fjalën që dhamë dikur…
(2005)