Ti je në atë moshë që akoma tundon djemtë e rinj
dhe që adhurojnë pleqtë,
në atë moshë kur s'të shqetëson më rruga e bërë,
por ajo pjesë e vogël që të ka mbetur deri atje…
deri atje ku mbarojnë të gjitha udhët, rrugët, rrugicat, monopatet
dhe autostradat e jetës…
deri atje ku s'ka më as rrugë, as udhëtarë, as zhurma hapash
e as semaforë.
deri atje ku s'ka lule të bukura shumëngjyrëshe
nga ato që të dhuronin vite më parë mes puthjeve
dhe lotëve të dashurisë ata që t'u përgjëruan aq shumë,
se nuk mund të jetonin pa ty….
deri atje ku ka veç rrënjë të forta shkurresh, bimësh
apo lule erëshumë të hedhura mbi muret e drunjtë
të banesës tënde të fundit…
je pesëdhjetëvjeçare...
me një dashuri që as vetë nuk e di se nga të vjen,
vështrimi yt përkëdhel pemët dhe kalimtarët,
lumin,
këmbët e urës,
trotuaret,
shtëpitë përballë me tjegullat e sapolyera,
tymin që del nga oxhaku i vjetër i furrës…
largohesh nga dritarja duke lënë mbi xhamin e ftohtë
avujt e frymës tënde dhe shenjën e hundës,
rend drejt pasqyrës ku prej shumë kohësh
s'e ke parë veten ashtu siç je tani,
lakuriq,
syvenitur
yje që më s’feksin…
vrastarët flokë të sistemuar e të qetë
shpërndarë mbi supet e tulta,
gjinjtë e fryrë të varur mbi barkun e dhjamosur
rëndojne shëmtuar mbi seksin…
e mbyllur në vetvete
molusk i harruar rrëzë shkëmbit
ku prej kohësh nuk përplasen më valët,
ku prej kohësh nuk ulet ndonjë çift dashnorësh…
ku ai mes puthjeve gjen kohë
edhe për të mbledhur perla guackash
për qafën dhe gjinjtë e saj...
grua pesedhjetevjeçare
ti ke nevojë për pak muzikë
mes qetësisë së gurtë të apartamentit tënd
pranë oxhakut të mermertë të trishtimit
ku prej kohësh nuk ndizet më zjarr,
ku prej kohësh askush nuk luan urët…
netëve të gjata të dimrit.
tinguj do të përplasen pas asaj hapësire ajri,
letrash, mbathjesh dhe vetmie
dhe papritur ti ndjen një nevojë të papërballueshme
për të qenë heroina sentimentale e dikujt
e dikujt që të dërgon mijra lule të freskëta,
e dikujt që të shkruan letra të pafundme dashurie…
rrotullohesh me krahët hapur,
si një flutur rreth llambës që shpejt do të fiket
këndon dhe vallëzon si dikur,
e kënaqur dhe e qeshur…
përvidhet trishtimi…
përplasesh mbi kanape
qesh e qesh me zë të lartë
si virgjëreshat tek ndjejnë t'u afrohet
i aqprituri …çvirgjërimi …
të ftohta duart…të ngrirë gishtërinjtë
që mund të përkëdhelin lehtë gushën
gjinjtë,
të të ushqejnë aq bukur mëngjezin mbi shtratin e ngrohtë,
mund të të lumturojnë, ndërsa ti lëpin prej tyre mjaltin e ëmbël
që derdhet ngadalë buzëve rënkuese...
gishtërinjtë mund të shkruanin edhe një letër
drithëronjëse si puthja përvëluese...
tash ti nuk je me aty…ke ikur…
ikanake që Pyllit Të Vetmisë Së Madhe
qetësinë sonte ia prishi;
të ka rrëmbyer prej flokësh ajo tjetra,
e papërballueshmja, e ashtu lakuriq
të ka vënë para pasqyrës,
të ka dhënë në duar të çthurrurat e mëndafshta
e me zërin e ngjirur të urdhëron:"Vishi!".
hedh krahëve një robdëshambër…
vë ca dru në oxhakun plak..
gjuhët e flakës ndriçojnë dhomën e errët,
do ndjesh ëndërrimin ëmbël të të robërojë
mes kërcitjes së urëve të zjarrit… hijeve…
shijes shpresëdhënëse të konjakut
tik-tak-ut dashuronjës të orës
që sonte nuk rreh atje lart mbi mur,
por fare pranë teje…mes gjinjve...
shtrihesh mbi një lëkurë ariu
pranë oxhakut dremit gjumëzgjimin,
grua pesëdhjetëvjeçare,
Kësulkuqe e shqetësuar,
Hirushe e trishtë,
Ofeli e sinqertë,
(por une e di qe në orë të vona
Ofelia s'është gjë tjetër
veçse një shpirt kurvërues
me nënqeshje xhokondiane fisnikëruar…)
dhe ashtu femërisht shkujdesur shtrire
mbi lëkurën e butë të bishës.
nis e shkruan nje leter dashurie
pa emer…pa date…pa adrese;
askush nuk mund të dijë atë që shkruhet aty…
as unë vetë që të njoh kaq mirë…
as zjarri qe digjet me pertese…
askush veç asaj të papërballueshmes
që paperballueshmerisht lakuriq
shtrihet pranë teje,
mes trupit tënd dhe zjarrit të mermertë
lehtë-lehtë do të ndjesh duart e saj të të përkëdhelin,
frymën e saj mbi gushën dhe qafën
dhe pastaj puthja e ëmbël si një “të dua”
si një kujtim i këndshëm
do të të thërmojë të tërën…
krahë të fuqishëm do të të përfshijnë
do të ndjesh gishtërinj të dirsur të të ledhatojnë
fytyren,
buzët,
gjinjtë,
barkun e tkurrur nga spazmat,
kofshët e trasha,
eklips i dritës në sytë…
e përkëdhel Mekën tënde lehtë-lehtë,
si të duash ta zgjosh nga letargjia që i ka sjellë
mungesa e besimtarëve...
do të dëgjosh zërin tundues të së papërballueshmes
të mërmërisë...të qajë......të ulërijë
me zërin tënd urëve te ndezura turbulluar
psallm i dehur zjarreve...
dhe unë nga larg do të kuptoj
Meka jote s'është më e harruar.
gishtërinj po falen tani
në më të madhërishmen e faljeve...
vonë-vonë do përmendesh…
do ngresh kokën me flokët e shkatërruar dhe
me sytë e vakur do kërkosh ,
gjysëmlakuriq...me sutienat e zbërthyera…
me mbathjet nëpër kofshë
do ulesh pranë oxhakut
por më kot…tashme ajo është atje...
mes prushit dhe hirit…
bashkë me të edhe ajo tjetra...
e papërballueshmja
dëshira e re…
natën e mirë...krijesë e dashur…natën e mirë…
e di që do të të shoh përsëri një mëngjes tjetër.
nëse ndonjë mbremje dimri do të duash
te takosh atë…te paperballueshmen
mjafton të kërkosh mes urëve të djegura
në oxhakun ku dikush hodhi padashur
një letër dashurie për vetveten...
edhe po s'të pashë, s'ka gjë...
do të më mjaftojë avulli dhe shenja e hundës tënde
mbi xhamat e ftohtë që unë të kuptoj
se ti po dremit pranë oxhakut të mermertë
ku digjen në heshtje rënkimtare
drurë...
letra
dëshira
e ndoshta edhe këto vargje
që si një lule shkujdesur t'i dhuroj...