11.2.10

Homazh për një personazh hije...

Im gjysh  është  personazh hije i ndonje  rrëfimi  tim, si  edhe i tregimit  "Vazo të thyera",  të pasqyruara  në këtë website letrar. Në shenjë homazhi ndaj kujtimit të tij dhe për të shuar kërshërinë e mundshme të ndonjë lexuesi mendova se ia vlen të hedh pak dritë mbi hijen e tij.

Musa Daut Shehu u lind ne vitin 1913 në Dukat.
Në vitin 1933 mbaroi studimet fetare në Medresenë e Tiranës. Po këtë vit fillon studimet per Teologji dhe Kulturë Arabe në Kairo të Egjiptit.
Në vitin 1936 kthehet në Shqiperi dhe martohet me Hatixhe Habilaliaj nga Dukati.
Për herë të fundit kthehet në Atdhe në vitin 1937.
Në vitin 1938 i lind vajza e vetme e cila nuk e pa kurrë të jatin. Lufta e II Botërore dhe më pas instalimi i rregjimit komunist ia bënë të pamundur kthimin në atdhe.
I vëllai i tij Isufi, i diplomuar në Shkollën Teknike të Fultzit dhe më pas në Akademinë Ushtarake në Firence të Italisë gjatë luftës kthehet në atdhe dhe lufton përkrah nacionalistëve. Burgoset dhe dënohet me 101 vjet burg nga gjykatat komuniste si një nga krerët e Ballit Kombëtar për zonën e Tragjas-Dukatit.
I pari i shtëpisë se Shehajve, Mulla Azem Shehu, një nga figurat intelektuale dhe nacionaliste më me peshë të asaj treve, në vitin 1946 arratiset në Perëndim për t’i shpëtuar dënimit më vdekje dhe vendoset në Detroit, Miçigan. (Rikthehet ne Shqipëri vetëm pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ku për kontributin e tij intelektual dhe atdhetar nderohet me titullin “Mësues i Popullit”. Fëmijtë e tij vuajtën kalvarin e tmershëm të internimeve për 50 vjet me rradhë.)
Shtëpia e Shehajve që shërbente edhe si Teqe e Dukatit u shkatërrua dhe u bë depo drithi.
Gruaja dhe e bija e tij dëbohen si të deklasuara drejt skajeve verilindore të Shqipërisë, pa pasur të drejtë kthimi në Vlorë…
Në vitin 1940 Musa Shehu arrestohet në Kairo pas grisjes së flamurit Italian në ambasadën italiane në shenje proteste ne  përvjetorin e parë të pushtimit fashist të atdheut. Lirohet pas protestave të komunitetit shqiptar të Kairos.
Në vitin 1944 karriera profesionale e Musa Shehut ndryshon drejtim. Nis studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Kairos dega Regjizurë.
Në vitin 1950 për kontributin e tij atdhetar zgjidhet kryetar i Kolonisë Shqiptare të Misirit (Egjiptit), post që para tij e kish mbajtur edhe A.Z.Çajupi. Është kjo koha kur bashkë me miq të tij inicion hapjen e një sistemi shkollash shqipe në Kairo.
Në vitin 1953 mbreti me origjinë shqiptare , Faruk,i dhuron bibliotekën e tij personale pak jave para abdikimit.
Në vitin 1954 e gjen në Tunizi si drejtor ekzekutiv në xhirimet e filmit “Fatma”, një prodhim frankoegjiptian i shfaqur edhe në Shqipëri.
Po këtë vit Musa Shehu bëhet drejtor ekzekutiv i “Al Ahram”, e vetmja kinostudio shtetërore e Egjiptit, post që e mbajti deri në vitin1968.
Gjatë viteve 1969 -1978 Musa Shehu punon si pedagog dhe më vonë shef i katedrës së gjuhës frënge në Universitetin Shtetëror të Kairos
Për jetën dhe kontributin atdhetar të Musa Shehut në Egjipt shkruhet edhe në librin “Shqiptarët e Egjiptit” të studiuesve Emin Azemi dhe Shkëlzen Halimi,(Maqedoni), si dhe ne  monografine e Mustafa Dednikës “Patrioti i madh nga Dukati”. Sipas tyre dhe njerëzve jo te paket që patën rastin ta njohin nga afër Musai ishte njeri me kulturë shumë të gjërë, poliglot, njeri me influencë dhe njohje në shtresat e larta të shoqërisë egjiptiane.
Në vitin 1962 bëhet  sponsori  kryesor mediatik i publicitetit  të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë në festivalin ndërkombëtar të Kairos. Gjithashtu  pjestare te ansamblit  akomodohen gjate dy javeve ne shtepite e tij ne Kajro dhe Aleksandri. Shërben si ciceron i ansamblit gjatë vizitave së tyre në qytetet egjiptiane, buzë Nilit dhe në Piramidat,  gjëra që i pasqyroi gjeresisht edhe një dokumentar të tij që u shfaq në kinematë shqiptare të kohës. Vizita e ansamblit përsëritet dy vjet më vonë, në 1964. Përsëri një dokumentar i cili shfaqet në Shqipëri.
Në vitin 1978 shtrohet në spitalin grekoamerikan të Kairos ku lëngon nga gangrena diabetike deri sa  vdes  në vitin 1998. Sipas autorëve të lartpërmendur dhoma e tij në spital priste e përcillte figura të njohura të artit dhe kulturës të Kairos, kolegë, studentë të tij dhe bashkëatdhetarë.
U varros në varrezat e Gizës, në lagjen pranë piramidave, ku jetoi pothuajse tërë jetës.
Për kontributin e tij intelektual dhe atdhetar në vitin 2006 nderohet pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi i Orikumit”.

foto1- Musa  Shehu student ne Kairo, 1933
foto2- Kryetar i Kolonise Shqiptare te Egjiptit,( i treti nga e majta), 1965
foto3- Ne zyren  e tij ne kinostudion "Al Ahram", 1957
foto4- I sëmurë në spital në shoqërine e ambasadorit shqiptar Faruk Borova (majtas) dhe mikut të ngushtë të mërgimit  Qerim Haxhiu (vëllai  i futbollistit Roza Haxhiu, emrin e të cilit mban stadiumi i Lushnjës), viti 1994.