30.1.10

Poetit të së ardhmes

Lërë pak vend edhe për shpirtin tënd mes vargjesh, poet,
në epshe eunukësh muzën tënde mos e kurvëro….
i pafat të ndjehesh nëse të krahasojnë me dikë tjetër,
sikur edhe me më të madhin e të mëdhenjve nëse ky ekziston…

gjeta mes vargjeve të tua filozofët e mëncur që shiten rëndom trotuareve…
piktorët brilantë që me dritëhijet ditënetët motmotesh na i sfidojnë…
imazhe marramendëse dalish…kube shtatzëna me qiej mikelanxhelosh
melodi muzikantësh të pavdekshëm që prej kohësh edhe shurdhët i dëgjojnë…

gjeta karmën dhe nirvanën mes vargjeve të tua,
taon dhe laon,
budizmin dhe jainizmin,
shramanën dhe brahmanën,
nitçen dhe zarathustrën,
ekzistencialistët dhe nihilistët,
platonët dhe mormonët,
egalitarianët dhe epikurianët,
futuristët dhe ekspresionistët,
bashkë me ta dhe sofistët…
gjeta Borgesin, Kafkën, Tagorën,
diku edhe Kierkegaardin e dëshpëruar,
Shen Agustinin
kutinë dhe Pandorën
e ndonjëherë edhe një Dostojevsk të menduar…
gjeta piktorët në rradhë të vënë
me kryeveprat e tyre në duar
kokëulur,
memecë,
ndonjë edhe pa vesh
nga gijotinë e vargjeve të tua…

por Bota dy herë për të njëjtën gjë nuk habitet,
dhe uji që shkon nuk lag dy herë të njëjtin breg…
gjeta gjithshka të njohur mes vargjeve të tua,
gjithshka të njohur...të vjetëruar...
gjithshka veç teje të panjohurit
veç teje të panjohurit, poet…

Ndaj lërë pak vend edhe për shpirtin tënd mes vargjesh,
në epshe eunukësh muzën tënde mos e kurvëro….
i pafat të ndjehesh nëse të krahasojnë me dikë tjetër,
sikur edhe me më të madhin e të mëdhenjve nëse ky ekziston…

Në mundsh bëju pra ti Hera e Parë!
Hera e Parë…
Unikja…
E papërsëritshmja…
E paimitueshmja…
E pakopjueshmja…
E pavdekshmja…
dhe
habitmë
tronditmë
në mundç me vargun tënd vritmë
siç kurrë s’më ke vrarë
e për një çast mes vargjeve më bëj të shijoj
vetminë tënde madhështore...
atë...
vetminë e Herës së Parë…