Pak kohë më parë, ndërsa po kërkoja dicka në dhomën ku dikur rrinte im atë, aty pranë librave dhe disqeve të vjetër të gramafonit gjeta një ditar të tij ku mungonin shumë fletë. Të gjithë rreshtat fshirë e prishur. Në ato fletë të zverdhura kishin mbetur vetëm tituj të ndryshëm këngësh dhe poshtë tyre edhe nje datë.
Dëgjoj këngët që i pëlqenin tim eti dhe e njoh siç nuk e kam njohur ndoshta më parë, si nëpër mjegull e shoh atë, ndjej hapat e tij, buzëqeshjen dhe vështrimin herë të ëmbël e herë ironik. Kujtoj duart e tij që lëviznin nën ritmin e notave.
Kjo që po dëgjoj tani ndërsa po shkruaj këto shënime është një pjesë e trishtuar nga “Peshkatarët e Perlave” dhe daton kur ai ka qenë njëzet e katër vjeç. Kur unë isha një vjeç. Ndoshta ka qenë i dashuruar në atë kohë. Ndoshta jo me time ëmë. Ndoshta po.
Më vonë në faqet e ditarit te tij mungojnë këngët. Nuk dëgjonte me muzikë kur ne fëmijët u rritëm. Më trishton shumë ky fakt. E mbaj mend madje kur na thërriste “Hej çuna, mbylleni atë radio se na çmëndët me muzikë tërë ditës!”
Mbyllej në vetminë e tij dhe zhytej mes faqeve të librave deri në përhumbje.
Ime më vuajti tërë jetës nga xhelozia për te. E donte shumë. Edhe sot kur thinjat e kanë mbuluar të tërën dhe një reumatizëm e vjetër e bën të ecë me ndihmën e një bastuni shkon te varri i tij dhe me nje zë që e dëgjon vetëm ajo diçka i pëshpërit.
Nga lëvizja e buzëve të fishkura kuptoj që i thotë:“T’i kam falur të gjitha…”
E dashuronte nëna. E adhuronte edhe pse me flatrat që i jepte prania e mrekullueshme e saj në jetën e tij, ai herë herë fluturonte në vise të tjera, në gra të tjera, në të tjerë shtretër…
Qytetet e vogla kanë gjithnjë gra interesante. Mjafton të kesh vështrim të kujdesshëm dhe i dallon lehtësisht ato. Nën hapin e lehtë dhe në flokët që ua merr era me pak vështiresi një sy i stërvitur mund të shquajë pasigurinë dhe dramën e pashkruar të tyre.
Unë nuk i njihja ato të gjitha. Por ato të gjitha më njihnin. Mbaj mend vagullt nga fëmijëria ime imazhe grash të panjohura të cilat teksa më shihnin në rrugë ndalonin, më pyesnin nëse isha djali i tij dhe më përqafonin e puthnin në faqe.
Duhet të kenë qenë vërtet të bukura mikeshat e babait. Më vjen mirë të mendoj kështu. Ai shquhej për shije të hollë, dëgjonte muzikë të përzgjedhur dhe lexonte shumë poezi.
* * *
Sot takova dikë pranë varrit të tij. Një grua e panjohur. Plakë. E rrudhur, e thinjur dhe me një tufë lulesh në dorë. Më pyeti për te.
“Sic e sheh babai ka kohë që ka vdekur”, i thashë duke i treguar me dorë fotografinë e tim eti mbi varr.
“E di...e di...”, m’u përgjigj, “por...”
Heshti dhe pas një grime, me vështrimin hedhur drejt diçkaje të largët e të padukshme si përjetësia, shtoi: “Babai yt ishte tërheqës si djalli. Kam bërë gjëra të çmendura për të...”
Po nëna rron?”, më pyeti pas pak.
“Rron...ashtu… e sëmurë dhe e plakur tashmë…”
"O Zot sa i ngjason tyt eti!" tha befas plaka me lule dhe duke më parë drejt e në sy nisi rrëfimin e saj:
“Isha e re atëhere…disa vjet më e madhe se babai yt.Isha shtatzënë dhe nga dita në ditë prisja të lindja fëmijën e tim shoqi, kurse yt atë asokohe kishte nje djalë motak që ishe ti. I gjithë qyteti ynë i vogël e dinte që ne ishim dashnorë. Edhe nëna jote e dinte. E mrekullueshmja nëna jote! Atë ditë isha grindur me babain tënd. Shumë! Aq shumë sa rrezikova një abort spontan. Më kish rënë të fiktë dhe më kishin çuar me urgjencë drejt e në maternitet. Në sallë të lindjes. Nëna jote ishte gjinekologia e vetme e qytetit. Isha tërësisht në duart e saj. Unë dhe fëmija im i ardhshëm. Në duart e gruas që unë urreja më shumë. Në duart e asaj që sa e sa herë kisha uruar me gjithë zemër të mos kish ekzistuar kurrë. Në dorën e asaj së cilës nuk guxoja kurrë t’i dilja përballë rrugëve të qytetit. Nëna jote e mrekullueshme! Ajo që përjetësisht e mbante larg meje babain tënd...
Operacioni i vështirë dhe zgjati disa orë…Humba shumë gjak dhe rrezikoja të vdisja nga hemorragjia. Në një moment më doli narkoza dhe ndjeva thiken dhe pincetat në duart e nënës tënde që punonin mbi trupin tim…Këtu…”, dhe plaka vuri duart aty poshtë. Ia hodha sytë aty dhe instinktivisht mendova nënën. Kushedi si është ndjerë ajo para atij fundbarku të përgjakur të shemrës së vet….
“Herë herë dora e saj fshinte djersët e ftohta që mbulonin ballin tim…dhe më thoshte “Kurajo...kurajo..edhe pak dhe mbarojmë…”. Fëmija lindi pothuajse i mbytur nga ujërat e mia…Një mami e hodhi në koshin ku hidheshin foshnjet e lindura të vdekura, por ajo, nëna jote, gruaja që unë urreja aq shumë, e rrëmbeu në çast nga ai kosh dhe me frymemarrje gojë më gojë e shpëtoi dhe e ktheu përsëri në jetë beben time…vajzën time…
Ditën kur do dilja nga materniteti i shkova në zyrë. Doja t’i flisja shumë, por nuk i thashë asnjë fjalë. Nuk mundja. I dhashë një dhuratë të vogël. Nuk donte ta pranonte. E hapa dhuratën dhe që andej nxorra një pllakë gramafoni. Ishte Peshkatarët e Perlave. Ajo nuk e dinte se ai disk ishte kujtimi më i çmuar i jetës sime. Ma kish dhënë djalli, yt atë, ditën kur ishim njohur. Dhe unë ia dhashë nënës tënde. E pranoi….Që atëhere nuk e pashë më as nënën tënde e as djallin tim. Ika nga ai qytet...
Dhe ja ku jam tani para këtij varri…Dua t’i jap këto lule...të parat dhe të fundit që unë i dhuroj atij…”
Iu afrua edhe më vendit të mermertë ku im atë fle në paqe gjumin e madh. Doja ta shoqëroja, por ajo nuk pranoi. Donte të ishin vetëm.
* * *
Kur u ktheva në shtëpi nënën e gjeta të zhytur në kolltukun e saj duke dëgjuar muzikë dhe me një libër në prehër…Si përherë, e qetë dhe pa fjalë, më priti me vështrimin e saj të butë. E përshëndeta me të puthurën e zakonshme. E përqafova një copë herë dhe pastaj vura në gramafonin e vjetër "Peshkatarët e Perlave". Sapo nisën tingujt e parë ajo mbylli sytë, ndërsa unë nisa të shkruaj këto rreshta…
Akoma me sy të mbyllur është dhe nuk e di nëse ajo po dëgjon muzikën…po fle… apo ka vdekur.