Kam ndaluar përsëri para dritave të kuqe.
Në bordellin e mëndjes sime si gjithnjë në të tilla raste kurvërojnë mendimet. Të shumtë. Të varfër. Të vjetër. Të trukuar. Rioshë. Lakuriqë. Gjithnjë lakuriqë. Tundues. Epshorë.
Kurvërojnë natyrshëm pa mundur të ngrihen në nivelin e prostitucionit. Ndoshta jam i martuar më shumë se çduhet dhe tashmë nuk jam aq tradhëtor sa të mund të bëj dashuri me mendimet e mia.
Kam veç dy mundësi të parrezikshme. Të pallohem me to ose t’i refuzoj. Nëse do zgjedh pallimin kam frikë se do ndodhte ajo, e padëshirueshmja e përjetshme, mbarsja. Në bordellin e mendjes sime nuk ka sallë lindjeje. I sapolinduri bie drejt e në dyshemën kockore duke pasur shumë shanse të mbetet përjetësisht sakat. Mendimet sakate fillimisht i mblidhja në…Hmmm… Vërtet, ku i mblidhja? Ç’kam bërë me mendimet sakate? Mbaj mend që kam patur shumë të tillë. Por nuk di sa ku janë tani.
Sigurisht në anën e pasme të bordellit ndodhet një boudoir ku dikur unë bëja dashuri të lirë me mendimet e mia. Mbarsesha dhe lindja mendime të reja. I ushqeja …i rrisja dhe bëja dashuri inçestuoze me to derisa mbarsesha…Por eh…kjo shumë kohë më parë….Para se ato të shtoheshin aq sa të krijonin harem.
Këtë herë nuk e di saktësisht se çfarë do të mbarsej, unë apo mendimet e mia dhe më e keqja është se nuk di nëse mbarsja do rezultojë me pjellje. Kam frikë se mbarsja do të jetë e fundit dhe kësisoj edhe e përjetshme pa asnjë mundësi pjelljeje apo aborti.
Jo. Nuk mund të pallohem me mendimet e mia për sa kohë që ekziston frika nga mbarsja. Po sikur të më kërkonin atësinë e foshnjes?
Ndaj ato mbeten përjetësisht aty në gjëndjen fëminore. Një harem marramendës mendimesh dhe unë eunuku i tyre. Ato mbeten aty. Të papalluara dhe të papaguara dhe unë nën belbëzimën qesëndisëse të papagallit të verbër të kujtesës. “Hej, eunuk, zgjohu! Kurvëria është prostitucion në gjendje foshnjore, kurse prostitucioni është paradhoma e vdekjes së kurvërisë. Jepi jetë haremit! ”, më thotë vazhdimisht zëri i tij i çjerrë. Por nuk guxoj. Nuk guxoj dot. Mendimet e vjetra janë të lodhshme si gratë në menopauzë dhe unë jam i lodhur prej tyre. Po. Janë si gratë. Nëse janë kurva duhen trajtuar si zonja. Nëse janë zonja duhen trajtuar si kurva. E ngatërruar shumë kjo punë e bordelleve dhe haremeve. E shoh që edhe këtë rradhë nuk i dhashë dot dum.
Ndizen dritat jeshile dhe gjithsesi bëj diçka. I jap gaz makinës deri në semaforin tjetër.