29.8.09

Spektakël poetik në internet

Spektakël poetik në internet

nga Ermir Hoxha

Universi kibernetik virtual është ai që vitet e fundit po i bën karshillëk universit real, fizik, pothuajse në çdo aspekt të jetës. Është thënë e po thuhet çdo ditë, se njeriu po merr trajta kibernetike, duke bërë mrekullira, por si kosto po paguan një farë dembellëku, përtacie; ç‘është më tragjike, ikje nga përftimi i dijes në mënyrë të mirëfilltë, me anë të asaj tradicionale të leximit apo më shumë akoma dhe shprehur metaforikisht privim nga konsumimi i jetës si mall i freskët, duke u “ushqyer” më tepër me gjendje të konservuara dhe frigoriferike. Por, një rast i fundit që vjen nga ky dimension i përket mrekullive të internetit, aq më tepër kur fjala është për ndjesitë e holla të përdoruesve të “sëmurë” të tij, individë që u dalin kokërdhokët e syve, duke qëndruar me orë të tëra para kompjuterit, pra të atyre që e lëvrojnë dhe e pëlqejnë poezinë në jetë e padiskutim në internet. Nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme që dy a më shumë njerëz të njihen në forume e chat, madje dhe të martohen më pas, por rasti e sjell që dy njerëz botojnë një libër me autorësi të përbashkët, ndërkohë që nuk njihen fare. Libri i tyre, që sapo ka dalë nga botimi prej shtëpisë botuese “Izabel”, quhet edhe “Stina e pestë” dhe është një dialog poetik mes tyre nisur rastësisht, aty nga nëntori i vitit 2005. Whisper dhe Bluemoon janë një djalë nga Shqipëria dhe një vajzë shqiptare me banim në Itali, që padashur ndodhen në një komunikim poetik mes tyre, të nisur si pasojë e një komenti që Bluemoon u bën krijimeve të Whisper-it. Të dy janë shumë të pasionuar pas poezisë; Bluemoon ka shkruar vargje që e vogël, por pa mundur t‘i botojë. Ndërsa Whisper ka botuar në poezi e prozë disa libra. E deliruar pas krijimeve të Whisper-it, Bluemoon u bën një koment vlerësues atyre. Dhe Whisper vendos t‘ia kthejë në vargje përgjigjen. Kështu, ata nisin të dialogojnë poetikisht me njëri-tjetrin, duke krijuar poezi njëra pas tjetrës. Ja një prej krijimeve të para mes tyre, ku Whisper i shkruan: afroje veshin tënd të vockël…/e ndjen? E dëgjon/ si fllad vjen, si puhizë shkon/në bllokun e poetit pëshpërimë e vonuar/gjethesh mbuluar stinët ngatërron. I përgjigjet Bluemoon: Ja ku e ndjeva pëshpërimën/ëmbël erdhi këtë herë…/flladi, era stuhia e bregut/ç‘vlerë kanë kur s‘ka poet?/Le t‘i ngatërrojë stinët/le të shkruajë vonë në bllok/frymën prej gjoksit ia ndjeva sonte/e këngës qe më e ëmbla notë…

Tashmë, dialogu mes tyre ka marrë rropullitë e nuk ndalet. Rreth e rrotull tyre krijohen dhe masa spektatorësh po në forum, që ngazëllehen me krijimet e tyre, gjuhën poetike me të cilën kanë filluar të njihen dhe të jetojnë virtualisht. Siç e shpreh në parathënie kritikja letrare italiane Roberta Giallorenzi: Këta personazhe të trilluar zbarkojnë në një forum letrar dhe e gjejnë frymëzimin te njëri-tjetri, duke e bërë atë copë hapësire virtuale, ishullthin e tyre, që s‘është fare i shkretë. Një publik besnik i mbështet gjithfarësoj e i kërkon dhe ata i përgjigjen me të gjithë forcën atij, duke u bërë kështu krijuesit e një produkti të shoqërisë online; duke u dhuruar vargjet e tyre shumë më parë se t‘i gdhendin në këtë libër.

Por, pas një farë kohe, Whisper dhe Bluemooon ndërpresin dialogun e tyre. Publiku virtual, që i ndjek ethshëm, pezmatohet, por dhe i falënderon që të dy për shfaqjen e dhuruar, duke menduar se kaq ishte. Në fakt, diçka kishte ndodhur. Diçka që lehtë mund të merret me mend. E thotë tangent dhe paksa poetikisht kritikja Giallorenzi: Qëllimet e tij (pra të Whisper-it) bëhen gjithnjë e më të prekshme, të hapura, por Bluemoon e tërheq dallgën e vet. Fare thjesht. Whisper atëherë falënderon publikun, tashmë një turmë spektatorësh të pasionuar, me një përkulje elegante dhe ul siparin. Gjithçka dukej e përfunduar, kur ajo papritur vendos të rrëmbejë penën e të shkasë sërish mbi të njëjtën valë të kreshpëruar…

Në historinë e tyre prej të dashuruarish, Whisper dhe Bluemoon, dy personazhet e përrallës së shkruar nga Artani dhe Aida, shprehin lirshëm ndjeshmërinë e tyre dashurore dhe erotike, pa lënë asnjë shenjë të dukshme. Në të vërtetë ata gdhendin pafundësisht shtratin e detit të tyre, duke na dhuruar një shprehje të re artistike dhe një risi: dialogun poetik, një dialog ky që prek vetëm për disa çaste bregun e më pas niset në kërkim hapësirash të reja. Shprehet kështu kritikja italiane, Roberta Giallorenzi, e cila e ka ndjekur nga afër shfaqjen e tyre, e ndihmuar në përkthim nga Bluemooon. Ndërsa tani, Giallorenzi po punon për përkthimin në italisht të të gjitha krijimeve, për ta bërë të mundur botimin e librit të rrallë dhe në italisht. Të 100 krijimet e tyre, që përbëjnë dialogun, pasohen në fund të librit nga përshtypjet dhe komentet e “sehirxhinjve” të këtij dialogu, të atyre që janë përthithur nga buqetat e vargjeve që Whisper e Bluemoon ia dërgojnë njëri-tjetrit në dritaren e tyre intime, por të hapur dhe për vizitorë. Një prej tyre, me pseudonimin “Teta”, duket se e ka vuajtur shumë ndërprerjen e dialogut poetik mes Whisper-it dhe Bluemoon-it, duke menduar se ata janë zemëruar dhe kur sheh rikthimin e tyre nën ethet krijuese dedikuar njëri-tjetrit, entuziazmohet: “…eh shyqyr pra shyqyr… se na ngritë gjakun, na gritë. U pajtuat ju hë…”

P.S. Më duket se jeni hileqarë të dy… Vetëm na testuat… Ok… Ja po e pranojmë kolektivisht, jua duam! Afeksionin e madh për dyshen Whisper-Bluemoon, e shprehin dhe të tjerë anëtarë të forumit, e dikush dhe me poezi, si për t‘u bërë palë në dialog. Por deri në fund, askush nuk ka mundur t‘u hyjë në pjesë, apo t‘i rivalizojë. Gjuha e tyre mbetet vetëm e tyre. Shkruan kritikja Roberta Giallorenzi në parathënie: Forma dhe stili i poetit, përzihet me formën dhe stilin e poetes, si në takimin mes dy trupash; përgjigjja e njërit vjen si pasojë e asaj çka beson se e ka kuptuar prej qëllimeve të tjetrës, në një magji që rri pezull mes sigurisë e pasigurisë; një lojë bashkëpunimi që lëshohet mbi letër me penelat të dukshme, por që qëllimisht na vështrojnë pas një veli. Si përfundim, libri i tyre merr këtë përkufizim nga Giallorenzi: E gjitha mundësohet nga interneti, që i peshkoi këto dy talente në det të hapur, e i solli deri këtu në bregun tonë, mes këtyre fletëve.

Dialogu poetik mes Whisper-it dhe Bluemoon-it ka zgjatur dy vjet dhe në libër përlidhen të gjitha krijimet e kësaj hapësire kohore, ndërkohë që dialogu mes tyre vijon. Por ata nuk njihen me njëri-tjetrin. Sigurisht që nuk janë takuar kurrë. Kanë bërë të ditur vetëm identitetin e tyre. Vijojnë të jetojnë shumë larg. Bluemoon, alias Aida Dizdari, ka ardhur këto ditë në atdhe nga Italia, ku jeton prej vitesh, por nuk mundet ta takojë Whisper-in, alias Artan Gj. Hasani, i cili ka zhvendosur jetën drejt Kanadasë. Kjo pak rëndësi ka. Forca dhe magjia e fjalës e ka bërë të vetën, siç e ka bërë gjithnjë edhe kur planeti virtual i internetit nuk ishte zbuluar ende. Aq më tepër fjala e përshpirtshme, siç është poezia. Dialogu poetik mes Whisper-it dhe Bluemoon-it është zhvilluar fillimisht në forumishqiptar.com e më pas për disa arsye, ka kaluar në forumishqiptar.net dhe është konsideruar si komunikimi më spektakolar në këto forume. Tashmë, flirti i tyre poetik dyvjeçar, është transformuar në një fëmijë/libër, ku çdokush mund ta mbajë në krah e të shëtisë me të…

Whisper:

Katër stinë vërtet ka bota,

por për mua veç njëra ka vlerë…

Di gjë për stinën e pestë e panjohura ime?

Nëse jo…s‘ka gjë…s‘e kanë ditur edhe të tjerë.

Bluemoon:

Dorën do ta zgjas, të marr mbi tryezë

stinën e pestë që le aty për mua…

…do ta vesh e do të jem siç më do:

gjysmë hije, gjysmë grua…

( marre nga gazeta Shqip )