Varrmihësi gërmoi gjatë nën urdhërat e atij që pretendonte pronësinë mbi varrin, por pa gjetur asgjë.
“Po gërmoj kot më duket, zotëri!“. “Bëj sic të thashë! Jam shumë i sigurtë që këtu ka patur një kufomë. Kohë më parë dikush më varrosi mua këtu! Të paktën kockat duhet të jenë patjetër! E kupton ti mor' varrmihës i shkretë që ato kocka janë shpëtimi im? Ato kocka janë të mijat! Nëse ato kocka gjënden këtu, atëhere ky varr bëhet i imi! Më kupton?“.
Varrmihësi gërmoi akoma deri sa kazma e tij u ndesh në një gur të madh e të sheshtë që mesa duket shënonte fundin e varrit. E ngriti ngadalë gurin e madh dhe pasi hodhi një vështrim nën të i thërriti pretenduesit për pronë:“Zotëri! Gjeta dicka nën gur! Por…nuk janë kocka …”. “ E cfarë janë? “, pyeti zotëria i paduruar.
“Janë ca... filiza lulesh.”.
”Lule? Nuk është e mundur, jo, nuk është e mundur! E c’kërkojnë këto lule aty? Unë e di shumë mirë që aty ishte varrosur vetëm kufoma ime, pra kockat e mija! A thua të kem ngatërruar varr? “.
“Ndoshta, zotëri, ndoshta!”.
Duke hypur në makinë zotëria i bëri edhe një pyetje të fundit varrmihësit që po rimbulonte varrin e hapur e tashmë të mbetur pa zot .
“Si ishin ato lulet?”
“Filiza të rinj,por…të vyshkur, zotëri, të vyshkur…”.
Makina doli nga dera e varrezës, ndërsa i zoti i saj ish ndjerë i lehtësuar nga fjalët e fundit të varrmihësit.
Të paktën askush nuk do ta pretendonte pas tij pronësinë e atij varri.
(Janar, 2005)