14.12.08

Ti - muzika ime

Ti - muzika ime

Ti ishe muzika ime,tangoja ime rebele...
ritmi...fluturimi... por edhe zvarrisja ime ishe ti...
sa herë që bëra dy hapat përpara...
aq herë hapi yt pas më çoi përsëri...

Ti ishe muzika ime..valsi im i kaltër...
kohë dhe hapesirë mbushur me ngazëllim...
ishe spërkatje melodioze... ballo e munguar
në Vienat e zbrazëta të shpirtit tim...

Ti ishe muzika ime...rumba gazmore...
trup i djersitur..lakuriqësi që i falet tundimi...
meskëputur lambadash...një krahu shtrënguar...
e imja edhe kur ai krah nuk ishte i imi...

Ti ishe muzika ime edhe kur për mua s’tingëlloje...
edhe kur në sallën bosh kumbonte i vetmuar hapi im...
dëshpërimin tim murmurimash e vallëzoja
e s’doja te besoja...ti mund të ishe edhe rënkim...