27.12.08

SHTEPIA E TE VDEKURIT

SHTEPIA E TE VDEKURIT

Ceremonia mbaroi,
dheu u hodh,
u hodhën edhe lulet
në terrin e zi,
secili nga pak qau,
heshturazi,menduar
e pastaj zvarritur
vazhdoi udhën e tij.
E unë pyeta
“Kush është i vdekuri?”.
S’m’u përgjigj njeri.
Cigaren që hodha
e shkeli dikush tjetër,
lulen që desha
një tjetër e këputi
e kurrë s’i mori erë,
arriti ta harronte,
pa mundur ta dhuronte
në një stacion t’braktisur,
ku treni i kujtesës
s’ndaloi asnjëherë.
E unë pyeta:
“Kush është i vdekuri?”.
S’m’u përgjigj njeri.
Në derë të bordellit
Shën Mërinë pashë,
ikonë e artë nën dritën rozë
dhe shumë kalimtarë,
të gjithë sqimatarë,
të verbër tek ecnin
këmbëshpejtë, nervozë.
E unë i pyeta:
“Kush është i vdekuri?”.
S’m’u përgjigj njeri.
Unazën e artë
mbi dorën e ftohtë vë,
të shkuarën sa lehtë
në një puthje e mbyll,
mbi sytë të nesërmet,
nën ta të djeshmet,
Kësulkuqe të përjetshme
të të njëjtit pyll.
E unë pyeta:
“Kush është i vdekuri?”.
S’m’u përgjigj njeri.
Një murgeshë
në kalendarin e grisur
Shën Valentinin
kërkonte më kot,
në lutjen e mbrëmjes
nën qirinjtë e zbehtë
askush s’ia dalloi
të rëndët lotë.
E unë pyeta:
“Kush është i vdekuri?”
s’m’u përgjigj njeri.


(1994)