PRIVILEGJ I GËNJESHTËRT
Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Ç’gënjeshtër fatale , ç’mashtrim,
midis dhjetra krahëve flokëgjatë
të zgjedhësh një të vetëm përqafim…
Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Ç’lumturi dhe njëkohësisht ç’tmerr,
tërë botën të falësh për një zemër,
për një zemër që tërë botën të merr…
Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
më i rremi qiellori privilegj
që diellin ta dhuron ndër duar
e hënën nga duart ta heq…
Të jesh i dashuruar dhe i lirë,
dy ëndërra që s’bëhen kurrë një,
perëndim që bujshëm largohet
e madhështinë një muzgu ia lë…
(1979)