13.12.08

POEME E HAPUR NJE KANDIDATI PER LEXUES


Ti kërkon një poet të madh…të madhërishëm… madhështor
që të shkruajë për ty, lexuesin e ardhshëm?
Një poet për të cilin trumpetat e tua prej mjegulle të bien çdo ditë e çdo natë…?
Një poet që do ta dojë i gjithë soji juaj e të jetë ekskluzivisht i juaji?…
Një rapsod mjekërgjatë
të cilin do ta duartrokisni
përunjësisht…
pambarimisht….
unanimisht…?
Një ajatollah
një idhull,
një bard ?
Një gërmaxhi i cili të gërmëzojë atë që mund ta kishe bërë lehtësisht ti
nëse do kishe pasur 5 minuta të lira në intervalin e një ndeshje bilardoje në klubin aty pranë ?

Kemi mijëra vjet që keqkuptohemi ti dhe unë,
por tani së fundi nuk jam më aq i mirësjellshëm

Ne jemi të njëjtë...përdorim të njëjtin alfabet...
të njëjtat fjalë dhe gërma...
por nuk jemi njësoj
dhe ndoshta kurrë s'do të jemi,
siç nuk janë njësoj gjumi dhe ëndrra...

Unë nuk shkruaj për ty.
Kurrë nuk kam shkruar për ty.
Kurrë nuk do shkruaj për ty.
As për të tjerët.
Natyrisht as për veten time.

Nuk shkruaj.
Shkruhem.

Poeti është ai që ka dashuruar
kur ti nuk mund të dashuroje përsëri
që ka falur atë që ti nuk e fale kurrë dot,
që ka tradhëtuar atë që nuk ke mundur të tradhëtosh ti...
që kur ti gajaseshe derdhi të rëndët lotë...
që s'u habit aspak kur memecët folën
që buzëqeshi dinjitoz mbi kryq...
që jetoi edhe kur e vranë
e kur e ringjallën i talli dhe vdiq...

E di...akoma nuk je gati...
nuk je akoma lexues vargjesh,
por përtypës gërmash që si një varg gështenjash të zjera
i blen...
i ha...
i porosit kushdo...
kudo...
kurdo....
"Hej..na pesë lekë..me jep edhe dy të tjera!"

Por poezia nuk është pica që t'u dha falas ta përtypësh në
banketin promovues anës trotuarit
as haraçi që një perëndi e panjohur i paguan bujarisht paditurisë
tënde...
nuk është as hajduti bastard që tinëzisht i frikohet litarit...
e as arnimi i rradhës i një ndërgjegjeje të shqyer vende –vende...

Nuk është as buka me gjalpë e djathë që jot gjyshe ta ushqente
pasditeve të fëmijërisë tënde të krisur...
nuk është as biberoni me të cilin qetësohen grindjet e shtatanikut
që nga djepi përdhe ka rënë...
as peshqiri me të cilin fshin djersët shkujdesur pas seksit rutinor
mbi çarçafin spermëqëndisur....
e as puhiza e vonuar një mbrëmje të nxehtë gushti nën një qiell
yjesh shtatzënë ...

Hej, ti kandidat për lexues poezish!
Kur mes presjeve, pikëpresjeve, pikëve,
pikëçuditëseve, pikëpyetjeve, retiçencave, apostrofëve
si në një vrapim me pengesa
do arrish në finish bashkë me mua ...
kur të zvarritesh nënrreshtave
si poeti në skutat e panjohura të shpirtit tend...,
kur të guxosh të turbullosh një gjumë të pafjetur akoma,
ndërsa dheun të heqësh nga vargjet për të zbuluar epitafin tend
apo ndoshta edhe kufomën time...
kur të guxosh të recitosh me zë të lartë ato që u shkruan në
vetminë e heshtur...
kur çmendurinë ta njohësh për privilegj e në fund të tunelit të saj
të shohësh dritë...
kur të guxosh e riguxosh të shohësh për një çast të vetëm pa t'u
dridhur qerpiku
atje ku poeti ka parë një jetë të tërë...
kur të guxosh të verbosh sytë nëse kjo do të të ndriçojë shpirtin...
kur të jesh i gatshëm për t'u vrarë...
për t'u vetvrarë...
për t'u varur në pikëpyetjet e mia siç jam varur unë netëve
pas ëndrrës që ti nuk arrije ta shihje dot në gjumin tend të qetë...
kur të kuptosh që Triumfi i Poetit nuk ka nevojë për tuajat Harqe,
atëhere PO!
Atëherë do jesh LEXUESI dhe ajo çka shkruan poeti
do të jetë e jotja...
Përjetësisht e jotja...
....................................
Përndryshe kënaqu veç me gërmat...
Nuk i meriton vargjet!

(nga libri "Mekatari")
© Artan Gjyzel Hasani