Kati 13 ose ballada amerikane e çmurimit
Ndërtesat e tyre mund të kenë një kat…
dy…
katër…
njëzet...
tridhjetë...
pesëdhjetë...
nëntëdhjetenëntë...
njëqind...
njëqind e pesëdhjete…
Kjo gjë ka pak rëndësi përderisa të gjitha ato
kanë dicka të përbashkët:
u mungon gjithnjë kati i trembëdhjetë.
Në ashensor pas 12-tës gjithnjë vjen 14-ta…
Kjo gjetje “smart” ua qetëson shpirtrat e trazuar amerikanëve
më shumë se sa tërë predikimet e pastorëve të ekzaltuar që nga
ndërtimi i kishës së parë në këtë vend të madh shekuj më parë
pasi tashmë i kanë siguruar përfundimisht muret e tyre,
jo vetëm nga zjarri dhe tërmetet,
por edhe nga djalli…
Frikëvrarë brenda mureve të apartamenteve të tyre,
me pultin e tv në njërën dorë
dhe me një sanduiç në tjetrën,
me buzëqeshjet salcëspërkatura në fytyrat vetëkënaqësisht idiote,
mburren me mënçurinë dhe prakticitetin e tyre të famshëm që,
pasi kanë pushtuar qiejt,
Hënën,
Irakun e parajsën,
kanë vrarë edhe Katin e Trembëdhjetë
duke e lënë të pastrehë Djallin në tokë
duke e përzënë përfundimisht frymën e tij nga muret e godinave të tyre...
dhe
vështirësisht përpiqen të kuptojnë Balladën shqiptare të Murimit
që u rrëfej
dhe
në fund duke gromësirë më pyesin:
“Ishte e çmëndur ajo?”