28.12.08

Per veten...ty...dhe ata te tjeret...

Per veten...ty...dhe ata te tjeret...

Kur ke jetuar për herë të fundit , o njeri?
Kur ia dhurove të fundit margaritë
një zemre për ta drithëruar?
Shkaku i faqeve të saja të skuqura
për herë të fundit kur ishe ti?
Për herë të fundit kur dielli i puthjeve të tua
nga henëzë e saj rilindi i eklipsuar?
………………………………………..
Të fundit përkedhelje a e mban mend o njeri?
E dhe…?
Ta dhanë…?
E more..?
Ta morën..?
(Në morgun e kujtimeve
kjo ka pak rëndësi…)
…………………………..
Hej vajzë…grua…femër….
kur je zhveshur për të fundit herë
nga duart e tij?
Orgazmat e njohin më rënkimin tënd?
Vallë a kanë një emër?
(Apo tashmë asnjë emër
nuk tingëllon më si i ri…?!)
………………………………..
Kur të thanë për herë të fundit
që je e bukur?
E mban mend?
Fshehurazi për herë të fundit
nga shtepia natën kur ke ikur?
Dikujt perëndeshë para sa javesh…
muajsh…
vitesh
mrekulli i je dukur…?
Në krahët e tij në hyrje subway-sh
yjet sa kohë ke pa i fikur…?
……………………………..
Hej vajzë…grua…femër…!
Nën sytë indiferentë të Kohës
si akullthyese profili i Xhon Lenon
shqyen vetminë tënde,
ndërsa vështrimi i një Mona Lize
heshturazi përgjon vargun tim…
…………………………………..
Në stolat në park…
një grua plakë
cigaren time thithi …
pastaj me sytë gri...
shekujsh mjegulluar...
lekurën time pyeti:
“Per here te fundit kur ke jetuar?”