17.12.08

Një natë dimri në Toronto

Një natë dimri në Toronto


Është se ç'na është...
është një qytet
ku zhurmat e rrugës
një heshtje i tret...
dëborë..dëborë...
një hap...dy...tri...
një tjetër pastaj...
shëtttttttt...qetësi...
nuk është liqeni
por heshtja e Saj...
që mureve të ngurta
u fal kaltërsi...

Nëse të ndodh
që rrugës duke ecur
të ndjesh marramendjen
sikur qiejt ke prekur...
vazhdo rrugën tënde
dhe qiellin mos vështro...
nuk ndodhi mrekullia...
por thjeshtë...kaloi Ajo...

Nëse në pub-in e lagjes
ku trishtimin mbyt
papritur ndjen
një shtrëngim në fyt...
mos u shqetëso...
veç ndiz një cigare...
mes avujve të rumit
të është shfaqur Ajo...

Nëse kinezi kamerier
të duket shumë i sjellshëm
nën tingujt e zezakut
që pianos i thotë "këndo!"
asgjë nuk ka ndryshuar...
bota mbetet e ashpër....
por dritëhijeve në mur
thjeshtë t'u shfaq Ajo...

Nëse rrugës natën vonë
vështrimin e lodhur
mes shkëlqimit llamburitës
një taksi ta pengon..
dy këmbët e bukura
që shfaqen pastaj...
nuk janë trille dehjesh
por janë këmbët e Saj...

Nëse mes të ftohtit
në parkun pa njeri
nën flokët e dëborës
do të ndjesh ngrohtësi
alkoolin që pive mos e falendero...
dëborës së pashkelur
ka kaluar Ajo...

Nëse mes shtratit tënd
ku të pret gruaja gjiplotë
nuk do të ndjesh dimrin...
nuk do të kesh ftohtë...
nuk ndodhi magjia
sonte me ju të dy...
por është kujtimi i Saj
që epshet t’i bëri hi...