30.1.08
UNDERGROUND
(tregim i bazuar ne historine e vertete te polakes Alja, nje e njohura ime e emigracionit)
Historia që po ju tregoj ka ndodhur diku aty nga fundviti 1998 në qytetin e Athinës. Në night-club-in ku punoja si ndihmës barman njoha një polake që edhe pse e punësuar prej disa muajsh në të njëjtin lokal,nuk shoqërohej me asnjërin nga djemtë apo vajzat e punës , gjë disi e panatyrshme për dikë që punon në ambjente të tilla. Madje edhe klientëve u falte vec buzëqeshjen e mirësjellë të kamarieres. Në telefonin e punës ku zilet binin papushim askush nuk kerkonte polaken. As miq e mesa dukej as ndonjë dashnor i saj nuk ish dukur kurrë në barin tonë për të pirë qoftë edhe një kafe të ngrohtë. Jetonte e vetme në një apartament adresën e të cilit nuk e dinte asnjëri prej nesh. Natyra e mbyllur dhe e ndrojtur e saj bëri që shumë shpejt dikush nga ne ta emërtonte polaken simpatike me pseudonimin miqësor UNDERGROUND. Kjo emërtesë edhe për faktin se të gjithë ne mendonim se sidoqoftë kjo vajze duhet të kishte një jetë tjetër e cila zhvillohej underground dhe jashtë vështrimit të syve dhe thashethemeve tona.
Kështu, natën e Krishtlindjeve, ndërsa po mbyllnim lokalin, aty rreth mesnatës, polakja afrohet drejt makinës sime të ndezur dhe më pyet se ku do ta kaloja atë natë të shenjtë. Pasi i thashë që do të rrija i vetëm në shtëpi, me një gjakftohtësi të habitshme, më sugjeroi të vinte edhe ajo në shtëpinë time për ta festuar së bashku në shtëpinë time.”Po unë nuk do ta festoj”, i thashë. “S’ka gjë, qoftë edhe për të qëndruar me dikë sonte këtë natë. Kam nevojë të mos jem e vetmuar sonte!”
Rrugës për në shtëpi nuk e perjashtova nga opsionet e mundshme të kalimit të asaj nate edhe atë të seksit. Undergroundi më intrigonte edhe me dicka tjetër:ishim të vetmit që i kishim kaluar të tridhjetat nga stafi i punës ku pjesa tjetër përbëhej nga pothuajse njëzetëvjecarë të harbuar.
Hymë në shtëpinë time dhe ndërsa Undergroundi po sistemohej në një kolltuk, unë gjeta rastin të hyja në dhomën e gjumit dhe të kontrolloja nëse kishte mbetur ndonjë prezervativ në sirtar. Pasi bëmë nga një dush të ngrohtë, u ulëm pranë njëri tjetrit me nga një gotë rum në dorë.Nuk flisnim pothuajse asgjë. Ndricimi i zbehtë dhe tingujt e muzikës që mbushnin dhomën ma bënë më të lehtë përqafimin e asaj vajze që cuditërisht qëndronte si e ngrirë mes kolltukut, por pa i bërë ndonjë rezistencë krahut tim mbi shpatullat e saja. Ndërsa kërkova ta puthja natyrshëm, sic puthet një femër e lirë që dëshiron ta kalojë natën në shtëpinë tënde, u ngrit me rrëmbim, mbuloi fytyrën me duar dhe u fut në dhomën time të gjumit. Mendova që e kisha fyer me padurimin tim dhe ndërsa arrita para derës së mbyllur qëndrova ca caste duke përfytyruar Undergroundin të përlotur dhe ndjeva dhëmbshuri për atë vajzë që në fund të fundit ishte si edhe unë një emigrante e vetmuar, larg vëndit të saj.
Kur hapa derën e pashë të qëndronte ulur mbi shtrat, aspak e përlotur, por me një qëndrim që dëshmonte vendosmërinë e njeriut që di se c’bën.
“Nëse dëshiron të bëjmë seks bashkë, mund ta provojmë, por fillimisht dua të të rrëfej dicka që ti duhet ta dish. Ne të dy nuk jemi as shokë e as miq,ndaj ke të drejtë në reagimin tënd ndaj kësaj femre që u ofrua vetë për të qenë sonte me ty. Të zgjodha ty si dëshmitar të këtij rrëfimi për arësyen e thjeshtë se ti mund ta përjetësosh atë në njërin nga tregimet e tua. Nuk kam lexuar asgjë nga ato që shkruan ti, por di që flet bukur. Mbase dikë mund ta ndihmojë edhe ky rrëfim.
Emri im i vërtetë është Ana W. Kam lindur në një qytet të largët të Polonisë, ku kam kaluar edhe gjysmën e jetës sime. Babai im ishte nëpunës dhe mamaja ime mësuese. Ata kishin pesë fëmijë dhe unë isha i treti.Ishim një familje e lumtur,të paktën në sytë e të tjerëve. Gjithmonë jam krenuar me emrin tim, madje që e vogël, kur në shtëpi na vinte ndonjë vizitor i ri, unë ndjeja një kënaqësi të madhe kur e përshëndesja duke i thënë “Mirëseerdhe! Më quajnë Ana W!”.
Ndonëse te të tjerët emri im nuk bënte ndonjë efekt të madh, mua më dukej se duke e shqiptuar tërë forcë e krenari emrin tim,e vija edhe më shumë në dukje faktin që unë ekzistoja.
Dicka kish filluar të ishte e ndryshme ndoshta që në fëmijërinë time. Një baba i urtë, pothuajse i pazoti për të veshur edhe pantallonat e tij, nëse nuk do të kishte pranë vetes mamanë që në të vërtetë ishte shtylla e shtëpisë. Nëna ime ishte një nga femrat më femër që kam njohur në jetën time, pavarësisht nga fakti që në mënyrën me të cilën ajo drejtonte jetën dhe ekonominë e familjes, rritjen dhe arësimimin e fëmijëve të shumtë, tregonte dinamikën e një mashkulli.
Nuk më pëlqente fakti që kisha motra: do të doja të kisha vëllezër ose , në mungesë të tyre, të isha fëmijë i vetëm.Isha në një nevojë të vazhdueshme për vëmëndje dhe dashuri, aq më tepër që nga natyra isha e ndrojtur dhe jo me ndonjë bukuri kushedi se cfarë. Motrat e mija kishin dashnorët e tyre për të cilët diskutonin kokë më kokë në dhomën e fëmijëve. Dëgjoja mendimet dhe përshtypjet e tyre për ata djem dhe habitesha kur mendoja se c’gjë interesante kishte në ‘ta.
Isha rreth gjashtëmbëdhjetë vjec dhe akoma s’dija se c’ishte dashuria. Në këtë moshë, për arësye ekonomike, nëna ime vendosi të më heqë nga shkolla dhe të më fusë në punë. Kështu fillova punë në një librari, nën këshillat dhe porositë e një tridhjetëvjecareje që e quanin Rudi. Një grua e fortë dhe autoritare që më tërhoqi që në fillim duke më bërë që të kuptoja se femrat më tërhiqnin më shumë se meshkujt. Aty, për herë të parë, unë kuptova arësyen pse s’më kishin tërhequr kurrë rrëfimet e motrave të mia për dashnorët e tyre. Nëse do të kisha pasur vëllezër, ndoshta, do ta kisha zbuluar të vërtetën për veten time më herët.
Një mëngjez, ndërsa po ndrrohesha në dhomën e veshjes, e veshur vetëm me të mbathura dhe kanatjere,dera u hap dhe brenda hyri Rudi. Që ditën e parë kisha ndjerë një frikë,një nënshtrim të këndëshëm ndaj saj, ndonëse nuk më kish dhënë ndonjë shkak. Ndërsa ajo hyri, unë kryqëzova krahët mbi gjinjtë e mi, duart mbi shpatullat lakuriqe. Ajo nisi të më vështrojë në një mënyrë të tillë që m’u duk sikur të isha komplet e zhveshur. Edhe para një burri nuk do ta provoja atë ndjenjë turpi dhe skuqjen e atij casti. “Më falni! Nuk e dija që ju mund të hynit…”, pëshpërita e humbur. “S’ka gjë!”, tha ajo –“Dukesh shumë e këndëshme…ke trup të bukur…”
Rudi bëri ca hapa dhe qëndroi para meje. Pastaj më preku flokët dhe gishtërinjtë rrëshqitën ngadalë mbi faqet dhe qafën time.
“Sa e këndëshme je!Dhe sa e njomë dhe e pastër!”
Kurrë s’do ta harroj mënyrën me të cilën ajo kish shqiptuar fjalën “e pastër”. Më vonë mësova për pasionin e saj për pastërtinë dhe rregullin në gjithshka.
E shikova drejt në sytë shpues,blu si deti,ndërsa një dridhje më përshkoi të tërën, ndërkohë që krahët e saj më mbështollën pas vetes. “Vogëlushja ime !Paske mbërdhirë!”. U ngjesha pas saj. Ndjeva trupin energjik, gjinjtë e fortë dhe të ngrohtë, duart e saj mbi shpinën time lakuriqe. Dhe…atëhere ndjeva një emocion të fortë e të cuditshëm të buronte nga thellësia e trupit tim, të më përfshinte e të më hidhte në një përqafim të butë e pasionant.
Ngrita kokën dhe arrita të kap një mirënjohje pothuajse triumfante që ajo e lëshoi drejt meje me sytë e zgjuar. Pastaj Rudi përkuli kokën dhe më puthi shpejtë e ngrohtë në buzë me një puthje që ndonëse zgjati aq pak, më hodhi për jetë në krahët e saj. Për herë të parë u ndjeva e dashuruar. Doja të flisja , por nuk guxoja. Nuk i besova zërit tim që mbyturazi murmuriti “Ah,Rudi…!”
Ajo, si të kish kuptuar se sa e sa “ah”-e fshiheshin në atë murmurimë, tha “Ne duhet të bisedojmë,Anë e dashur. Mundet sonte?”.
Doja të thërrisja me gjithë forcën “Po, po dhe jo vetëm sonte, por cdo natë të jetës!”, por thashë vetëm fjalët “Jam e zënë. Më vjen keq!”
Pas disa ditëve e lamë të takoheshim në shtëpinë e saj. Ishte një shtëpi e madhe dhe e rehatshme.
Pasi më përshëndeti, më shtyu lehtë brenda dhe tërhoqi derën pas saj. Kish ndërruar veshjen dhe modelin e flokëve. Një bluzë e ngushtë dhe një minifund mbulonin trupin e saj.U ktheva drejt saj dhe krejt natyrshëm ajo më mori në krahët e saj. Përsëri ndjeva trupin dhe gjinjtë e saj të fortë kundrejt meje,përsëri i njëjti emocion,e njëjta dridhje. E humbur në atë grua që rrezatonte bukuri dhe forcë,e lëshova trupin në duart e saja. Rudi përkëdheli qafën, supet e mi e, duke zbritur poshtë, duart e saj më zhveshin ngadalë, pa shumë epsh,por tërë dhëmbshuri. Zbuloi gjinjtë e mi e nisi t’i përkëdhelë e fërkojë butësisht e me një lëvizje energjike më ngriti kokën dhe për të dytën herë ndjeva mbi buzë shijen e lumturisë që më falte puthja e saj e gjatë dhe e fortë…Krahët, këmbët dhe tërë trupin ndjeva të më këputeshin, sa që edhe mund të rrëzohesha, kur zëri i Rudit më përmëndi “Oh, Ana, të lutem më fal,por…je shumë e ëmbël…më fal!”
“Përse të të fal? Mua më pëlqeu…”, fola e hutuar me naivitet.
Qëndruam ca në heshtje.Rudi e mori veten e para dhe duke ecur hijshëm me mua për dore,na uli mbi një kanape në një qosh të dhomës.
“Ne duhet të flasim! Ti dhe unë...”tha ajo. Folëm një copë herë të mirë mbi homoseksualizmin.
“Unë dëshiroja aq shumë të më puthje…të më shtërngoje në krahët e tu…” dhe pastaj fëmijërisht shtova “Unë të bëra ty të më puthje…!”.
Rudi qeshi.”Më do vërtetë?”,e pyeta.”Po, të dashurova që në momentin kur ti hyre për herë të parë në librari…”,i shte përgjigja e saj.
“Vërtetë kur hyre në shtëpi atë ditë ti mendove vec për mua?”, vazhdova e entuziazmuar.
Isha gjashtëmbëdhjetë vjecare dhe befasisht ndjehesha krenare që unë të isha heroina e vuajtjes dhe dashurisë së një gruaje aq të bukur. Në ato momente,ndoshta padrejtësisht,në heshtje mendova keq për nënën dhe motrat e mija që s’më kishin dhënë e kushtuar aq kujdes,dhëmbshuri e përkëdhelje,sa po më falte kjo grua,deri para pak ditësh,e panjohur, sot nënë, motër dhe mbi të gjitha, e dashura ime e parë. Dashuria ime e parë.
Kështu, e ulur në atë kanape unë u bëra lesbike. Unë nuk e dija atë gjë atëherë, vite më parë, por sot, kur më vinë ndërmënd sa e sa kujtime,e kuptoj që gjithshka nisi mbi atë kanape, ku Rudi për herë të parë më shprehu dhe pohoi dashurinë e saj.
Rudi më mësoi rreth jetës më shumë nga c’kish bërë ndonjë tjetër.
Nuk ish përpjekur të bënte seks me mua që në rastin e parë, por duke më hapur shtigjet drejt asaj që unë kisha ndjerë në heshtje kaq e kaq kohë e që e kisha varrosur të pashpresë diku në një skutë të errët të vetëdijës sime, bëri që unë të ndjeja magjinë e dashurisë që dy gra mund t’i falin njëra-tjetrës, si dy motra, si nënë e bijë, si dy dashnore pa të fshehta midis tyre.
Ndërsa dëgjoja zërin e saj të tregonte për Safonë, poeteshën e famshme të Greqisë së lashtë, nënën shpirtërore të lesbikeve, u afrova edhe më shumë pranë saj,duke u futur nën sqetullën e saj si një zog i vogël, ndërsa me dorën time lehtë-lehtë i ngrita bluzën dhe i përkëdhela gjinjtë e fryrë,tërë ndrojtje dhe frikë,pastaj dora ime ngriu mbi formën e gjirit, pa guxuar ta prekte ashtu sic doja ta prekja…
Rudi pushoi së treguari,ndërsa heshtja dhe gjysëmerrësira kish mbuluar dhomën. Dëgjohej vec zhurma e shiut që kish filluar ndërkohë rrëmbyeshëm. Papritmas Rudi më mori në krahë dhe ma mbuloi fytyrën me të puthura. Ishte aq e ngrohtë, e gjallë, tepër e rënë në dashuri me mua dhe …mjeshtre e artit të dashurisë në magjinë që dinte të krijonte me puthjet e saja.
Nuk e di se si më kish zhveshur të tërën, por papritur ndjeva trupin e saj mbi timin dhe buzët e saj të më preknin kudo në trupin tim të brishtë.
A kisha qenë vallë më e lumtur më parë, më shumë se në ato caste që unë kisha zbuluar se kisha një trup që mund t’u falte lumturinë mua dhe atyre që e preknin?
Aq naive dhe fëmijë kisha qenë deri në atë moment, sa që nuk i kisha provuar kurrë ndjenjat e egra të vetë jetës. Më dukej se kisha rilindur në një botë që për mua kurrë më parë s’kish ekzistuar.
Duart e saj ishin aq të ëmbëla mbi gjinjtë, krahët dhe kofshët e mija. Më puthi përsëri lehtë, ngadalë, sikur të kish frikë se nga brishtësia trupi im do të thërmohej në mijëra copëza të pambledhëshme kurrë. Në të vërtetë shpirti më ish thërmuar dhe ribashkuar me shpirtin e asaj gruaje aq të dashur, aq zonjë dhe fëmijë njëkohësisht.
Shumë vite më vonë unë pata rastin të bëj seks edhe me meshkuj,por kurrë në marrëdhënjet me ta nuk gjeta atë që më fali Rudi, dhembshurinë, durimin, dashurinë e nënlëkurës e të shpirtit që mua mund të m’i falte vec një grua -e në rastin më të keq- nëna ime.
Gjatë tërë këtyre viteve kam kërkuar nga vetvetja, por pa gjetur përgjigje, përse njerëzit janë homoseksualë. Tashmë, e lodhur nga pikëpyetjet, i kam thjeshtuar të gjitha në një “kështu ishte e shkruar”. Nuk jam e kënaqur që jam lesbike,kam kaluar nëpër rrathët e Ferrit,shpesh herë pa e merituar, vetëm e vetëm se jam e tillë. Jetë më të vështirë se gruaja e dashuruar nga burri i saj i devotshëm dhe fëmijët e gëzuar përreth. Megjithatë lumturia blihet me cdo cmim,mjafton që ajo të të cojë në pikën e moskthimit të kokës prapa duke thënë nën zë “Ah,sa keq që veprova ashtu!”.
Marrëdhënjet e mia me Rudin vazhduan për dy vjet me rradhë.Të fshehta,larg opinionit të ndyrë hipokrit të qytetit tim. Në sytë e bashkëqytetarëve të mij isha një vajzë e urtë dhe e heshtur që cuditërisht s’po i dilte fati. Për fat të mirë apo të keq, qyteti dhe shoqëria jonë i kishte veshët të shurdhër për të dëgjuar melodinë e lumturisë së një lesbikeje.
Ishte Rudi ajo që më mësoi aq natyrshëm se të ishe lesbike ishte po aq turp sa edhe të mos ishe e tillë, një e vërtetë që unë jo thjeshtë e mësova, por edhe e jetova. Prej saj mësova atë që nuk lejohet, atë që dënohet dhe përcmohet, por që është aq e vërtetë. Homoseksualët janë njerëz dhe njerëzit janë si lulet. Pak kujdes i ngjall, pak moskujdes i vyshk.
Ishin dy vjet të një dashurie trupore dhe shpirtërore që i dhanë cdo sekonde emrin tonë,bukurinë tonë,të vërtetën tonë. Do të doja edhe unë t’ia tregoja plot dëshirë dashurinë time të madhe një shoqeje,motrave apo edhe nënës,por e dija reagimin. Do të isha më fatkeqja në botë. Kështu që e mbajta brenda vetes sime si gjënë më të shtrenjtë,më të lartë që s’e meritonte kurrë të përbaltej nga llumi i moralit. Do të kisha qenë e lumtur të vazhdonte sa më gjatë, por…”
Këtu Undergroundi e ndërpre rrëfimin dhe ndezi një cigare. Kisha mbetur i hutuar, në këmbë para saj, gjatë gjithë rrëfimit, madje nuk kisha parë se qielli që dukej pas perdeve ishte përflakur nga fishekzjarre të shumta inkandeshente të njerëzve që jashtë mes dëborës festonin në ekstazën e rradhës lindjen e Krishtit.
Pasi e thithi fort cigaren, Undergroundi vazhdoi:
“Një ditë ajo vdiq.E shtypi një makinë.Pas ca orësh dha shpirt në spitalin e vogël të qytetit.Dicka pas mesnate.
Të nësërmen në mengjez, ndërsa po shkoja për në punë,dëgjova zërin e fqinjit tonë të më thoshte i mërzitur “E more vesh? Zonja Rudi vdiq aksidentalisht!”
Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet që atë ditë,por edhe tani i ndjej në veshët e mi ato pak fjalë të tmerrshme. U ktheva në shtëpi dhe nisa të qaj me dënesë në heshtje. Nëna dhe motrat m’u afruan prane të më qetësonin,pasi ndonëse nuk dinin gjë për lidhjen tonë, vlerësonin dashurinë dhe simpatinë që Rudi kish patur gjithmonë për mua.
Dy javë pasi u varros Rudi shëtita me një djalë të quajtur Jancek. Pas tre muajsh u fejuam dhe pas një viti u martuam.
Kur kujtoj atë periudhë të jetës urrej vetveten. S’më kish mbetur asgjë vec egoizmit në shpirt.Sot mendoj se vdekja e Rudit më mësoi më shumë se c’me kish mësuar ajo vetë.E urreva Jancekun që në momentin kur më puthi për të parën herë. Ai ishte një djalë i këndëshëm dhe simpatik, por duart e tija të nxehta mbi trupin tim më sëmurnin. I kisha dhënë të kuptonte se edhe mua më pëlqente të martohesha me të: të paktën do të zhdukesha nga familja ime, ku tani që ndjenin ikjen time, nisën të më kushtojnë vëmëndje dhe kujdes.Më në fund nëna ime e zbuloi që kishte edhe një vajzë tjetër!
Netëve mes ëndërrave i kërkoja të falur Rudit që po martohesha dhe Jancekut që e bëra të më dashurojë duke e ditur që nuk mund ta dashuroja kurrë. Gjatë fejesës sonë ai shpesh u përpoq të kryente një akt seksual me mua, por unë dija ta shmangja duke i thënë që virgjëria ime do të ishte dhurata ime për të në ditën e martesës.
Erdhi dhe dita e martesës. Mamaja qante, ndërsa motrat përpiqeshin që unë të dilja një nuse sa më e bukur. Lule dhe oriz mbi ne.
Atë natë Jancek, mes epshit, kish pritur momentin e cvirgjërimit tim. Më shtriu në krevat dhe unë mbylla sytë që të ndaloja lotët, ndërkohë që duart e tij të etura përkëdhelnin gjoksin tim,trupin tim të ftohtë. E lashë të më puthte në buzë, në pritje për të më puthur dhe përkëdhelur edhe pjesët e tjera të trupit,por kjo gjë kurrë nuk ndodhi. Papritmas ,duke hungërirë si një bishë, më mbuloi të tërën me trupin e tij. Ndërsa ai po kënaqej,unë ndjeva një dhimbje të fortë dhe të zgjatur që sa vinte e përkeqësohej.
“Jancek,mjaft të lutem!”,thirra unë, por ai më kish harruar të tërën, i përqëndruar totalisht te vrima e përgjakur e seksit tim, duke mos e kuptuar që unë s’dija asgjë nga ai akt që po kryenim.
E pafuqishme iu dorëzova e tëra. E shtrirë ndjeja lotët të më rridhnin faqeve të nxehtë e të rëndë. Ndodhesha e shtrirë në një shtrat dhimbjesh, në krahët e një burri që nuk mund ta dashuroja kurrë…
Më vonë, disa javë para divorcit, me Jancekun shpesh i kujtonim orët e para të martesës sonë, secili sipas mënyrës së vet: ai plot epsh e pasion, unë plot tmerr e neveri. Gjatë kësaj kohe kisha mësuar ta respektoja atë,madje edhe ta dashuroja, por nuk ishte ajo dashuria që mban bashkë një burrë me një grua.
Një ditë prej ditësh i tregova tim shoqi për veten dhe për Rudin. Vitet që kalova me Rudin më dhanë kurajon t’i tregoja atij se cila isha e cfarë isha.
Muaj të tmerrshëm e të vështirë më prisnin në ditët e mëvonëshme. Akoma më e vështirë ishte për tim shoq. Ai duhej të kuptonte dicka që nuk i përkiste botës së tij,të provonte dhe të respektonte ndjenja që ai kurrë nuk e dinte që ekzistonin. Për homoseksualizmin ai dinte vetëm fjalën “turp”, ndërsa për mua ajo gjendje ishte vetë jeta ime.
Megjithatë ai u mësua me faktin që unë isha lesbike,gjë që më bëri ta doja e ta respektoja si asnjëherë më parë gjatë martesës sonë. Por në thellësi të tij ai më dënonte, pa ditur se për c’gjë unë isha fajtore.
Kështu një ditë mblodha plackat. Po ku të ikja? Kush do të më kuptonte? Nga njëra anë opinioni fals dhe nga ana tjetër ligji i padrejtë për homoseksualët…
Vendosa të arratisem nga atdheu im,ku s’kish gjë që të më mbante më vec kujtimit të Rudit dhe varrit të saj. Një ditë para se të largohesha shkova në varreza, qava e vetme duke prekur dhe puthur fotografinë e ftohtë të Rudit që zbukuronte varrin e saj të thjeshtë. Nuk i cova lule, por vec lotë.
Tani, pas kaq vitesh në dhe të huaj jam mësuar të jetoj ashtu sic duhet të jetojë një njeri i llojit tim,pa miq e shokë,por me njohje të pasigurta të një nate. Kontakte të mishit, por jo të shpirtit, pavarësisht nga kënaqësia që mund të më kenë dhënë.
Boshllëkun që më la Rudi s’kam arritur ta mbush dot, ndaj edhe kërkoj me ngulm të gjej përsëri atë ndjenjë paralizuese dashurie dhe dhëmbshurie që vite më parë i dha jetës sime kuptimin dhe emrin e saj. Dhe për sa kohë që unë jetoj me këtë boshllëk,në veshë më kumbon zëri i Rudit që ndërsa rrinim të përqafuara pranë zjarrit, më thoshte “Nuk ka rëndësi se nga cili burim ujitet lulja,mjafton që ajo të lulëzojë e bukur!”
Këtu kish mbaruar rrëfimi i saj.Ish ngritur dhe më kish pyetur për dicka që nuk e dëgjova.Isha murosur i tëri.Kur erdha në vete dëgjova zërin e saj poshtë ballkonit tim “Taksi,taksi!”. Dola me vrull në ballkon, por ndërkohë taksia e verdhë me Undergroundin brenda saj gjarpëroi rrugën mes një grupi gjysëmlakuriq të dehurish që festonin lindjen e Jezuit.
-fund-
(Athine, 1998)