2.2.16

DUART


prej kohësh ne të dy s’puthemi më…
përkëdhelje s’ka…as grindje…as përqafim…
dashuri nuk bëjmë e s’jemi më dashnorë…
flokëve të tu s’u vjen më era e duhanit tim…
por e zeza nuk na duket më aq e errët
dhe së fundmi dakort kemi rënë
se në pemën pa gjethe vjeshta është e tepërt
dhe ndarje do të thotë të takohesh ralle
megjithatë ka një çast kur jemi bashkë
kur duart e mia mbi të tuat dorëzohen…
lodrojnë…fërkojnë…kërkojnë…
rrënjët atje thellë zënë e ngatërrohen
kërleshen…përleshen…
duan të shpërthejnë jashtë …
duke kujtuar duan të harrrohen
ndërsa sytë meken dhe duart rrëfejnë
si udha hapave fundin e ecjes
në heshtje filloj të besoj përsëri
lulëzimin e gjetheve mbi lëkurë...
vesën që lind përrenj
artin e madhërishëm të prekjes…
(nga libri “MEKATARI”)
©Artan Gjyzel Hasani