6.2.16

BALLADA AMERIKANE E CMURIMIT


ata flasin të parët
më tregojnë për ndërtesat e tyre
të larta me mure të lehta...
njëzetëkatëshe
tridhjetë
nëntëdhjetenëntë
njëqind e pesëdhjetë
në ashensor pas 12-tës vjen gjithnjë 14-ta
u mungon gjithnjë kati i trembëdhjetë
e kjo gjë ua qetëson shpirtërat e trazuar
më shumë se Bibla, Ungjilli, Jezui
dhe predikimet e pastorëve të ekzaltuar
pasi kanë pushtuar qiejt,
Hënën dhe Marsin,
Vietnamin, Irakun, Afganistanin,
naftën dhe parajsën,
i kanë siguruar përfundimisht muret
jo vetëm nga tërmeti dhe zjarri,
por kanë vrarë edhe Katin e Trembëdhjetë
e kanë lënë të pastrehë Djallin
duke e përzënë frymën e tij
nga ndërtesat e tyre jodosido...
pastaj vjen rradha ime
u rrëfej balladën shqiptare të murimit
per nusen e re mes gurëve
dhe gjirin jashtë për foshnjen
e ata
me pultin e tv në njërën dorë
një sanduiç në tjetrën
duke gromësirë më pyesin:
“Ishte e çmëndur ajo?”
(2008)
©Artan Gjyzel Hasani