18.1.16

POEMA E GRUAS SE VETMUAR


pranë oxhakut këtë natë dimri ç’mendon…
ç’kërkon?
prej vitesh lule s’të dërgojnë…
as letra…
as puthje…
gungaçi gjuhëprerë telefon dhe pasqyra, kjo mikeshë e vjetër,
vazhdon të flase gjuhën e saj
me alfabet thinjash,
rrudhash,
hiri,
shkretëtirës së gjinjve pëshpëritur,
oazit tashmë të tharë,
qendër e trupit tend neveritur,
një zë,një mërmërimë
urëve të padjegura pritur…por…
ah, tingull i ri,
kush do të të shpikë ty,
kush do të të pëshpërisë
çarçafëve të nëpërkëmbur,
pantoflave përmbys?
kush do të rënkojë djersitjes së shpirtit
heshtjen alarmante
të këtij luksi të zi
kombinezionesh të qelqta,
relike e pavlerë sirtarësh harruar,
sintetikë komode
dritash të zbehta…
të hëngri kjo heshtje,
të bluajti,
të griu
komfortit të kushtueshëm si pluhur të shpërndau
e si dorë dembele kurrë nuk të fshiu…
dhe qan…
lotë të hidhur, faqeve të bardha përmjerë…
me tymin e cigares buzës së mbyllur….
fosile puthjesh me pritjen përzjerë…
ç’mendon,
ç’kërkon?
shkëlqim brilantesh duarve të tua,
masha e hekurt që me to lodron,
niset rrëmbimthi pasqyrës së vjetëruar
që sa pak fsheh,
që sa shumë tregon…
e më pas…një krismë…
thërrime…thërrime,
pasqyrë e pagjuhë s’do të flase më kurrë...
valle a je më e qetë, grua e vetmuar,
oxhakun përpara…
hijen pas mbi mur…?
sallonit të gurtë antikash zbukuruar
errësirës së mykur shandanesh ndriçuar
me pelerinën e harruar supeve përsëri
lakuriq...e dirsur...vallëzon me hijet ti…
një hap...
dy...
tri
një hije vjen...
një ikën...
"kush jam? më njeh?"
jehonat si lehonat nën hapat e tu lëngojnë…
tingujt e dikurshëm si foshnjen pranë kërkojnë...
përpëliten nën takat e bëhen melodi...
lakuriq...e dirsur vallëzon me hijet ti…
një hap...
dy...
tri
një hije vjen... një ikën...
"kush jam? më njeh?"
qafës kafshimet si bisha lëshuar...
frymë të dehurish buzëve përvëluar...
gishtërinj të dikurshëm mes kofshëve përsëri...
lakuriq...e dirsur...me hijet vallëzon ti…
“kush jam? e gjen?”
dhe krahë...
sa shumë krahë kësaj nate paduruar...
shi fantazmash orgazmave lëshuar...
djegur...
zhuritur
ethja bëhet hi...
lakuriq…e dirsur... me hijet vallëzon ti…
një hap...
dy...
tri…
një hije vjen... një ikën...
"kush jam? më njeh?"
dhe gojë...
sa shumë gojë…
para teje etur...
syshqyer...
lëngëzuar...
tundim i patretur...
"ku je? ku je?
erdha përsëri..."…
lakuriq...
e dirsur...
me hijet vallëzon ti.
gjinjve të tu hije shandanësh derdhur...
me kupën e verës epshçmëndur...
e dehur...
tunduar vegimesh
dritëhijesh përsëri
lakuriq e dirsur me hijet vallëzon ti...
në dhomën pa dritë qirinjsh drithëruar
verbërisht zhvesh trupin e djersitur
nën sytë e mureve dritëhijesh zbukuruar
në derën gjysëmhapur pret një të trokitur…
kush është?
jam epshi që ti pret
çarçafëve të vetmisë kur mesnatat vret
thithkave të harlisura
me gishtërinjtë e dridhur
të dorës që prek…
jam tundimi që ti kalëron
drejt muzgut vrastar që vdekjen tërheq zvarrë
aty ku fillon ëndrra dhe dita nis mbaron…
klithmë…
ulurimë…
rrënqethje…
uri që tret urinë…
çmenduri…
thonjçjerrje…
kafshim…
ekstazë epshesh mpakur
greminë…
katedrale dhimbjesh nën këmbana gjinjsh…
në dhomën pa dritë qirinjsh drithëruar
nën qiellin e errët mes kofshëve të tua
rrufetë japin shpirt rënkimesh lagur…
(2005)
©Artan Gjyzel Hasani