26.12.10

Santa...

kam njohur  zhgënjime  shumë në jetë
nga  miq, shokë  dhe  femra…
zhgënjime kalendarësh...
pritjesh…
ikjeardhjesh…
zhgënjime alfabetësh ku mungonin  gërma…

por zhgënjimin që më vrau më shumë
e pashë  dje te  një fëmijë
kur  mësoi  se Santa Claus i dhuratave
me  rrobat e kuqe veshur
dhe mjekrën e bardhë e të gjatë
ishte thjesht  babai  i tij…

dhe sytë m’u përlotën si kurrë ndonjëherë
dhe për të gjithë  fëmijët e botës  qava
dhe për zhgënjimin e tyre të parë…
për fëmijërinë  që kurrë  s’vjen sërish…
për Santën e tyre të vrarë…
………………………………….
dhuratat  që  vogëlushit do i jepja
nga duart përdhe më ranë…



(natë Krishtlindjesh, 2010)

©Artan Gjyzel Hasani

3.12.10

aliteRACION ekSPERiMEntal corpORAL

perëndojnë penelatat e pendimit mbi penis…
vagabond i vagullt i vaginës tënde muzgu…
përlotja loton lotë mbi të lodhurin iris
si mbi murgeshën e mbrëmjes murgu

marramendja marrëzisht frymën ta merr
drithërimash ndricuar dritë e venitur
gjethe  epshi  gjelbëron gjiri i gjërë
thithur thithkat nga ethet plasaritur

teksa buza përflaket e buzkuqin përbuz…
teksa goja jote (për)gojon kafshëzën time përsëri…
teksa gjuhët e çartura përçartjen përçojnë
trurit tim të trembur ku etur tretesh ti…
shtrydhet luleshtrydhja…
çahet…
spërkatur stërpik qerpikun pikë-pikë...
pikon...
kullon…
………………………………….
është ëndrra ime në syrin tënd…
mos ki frikë
.................
shfaqja mbaron...
perdja  bie...
mbi gjinjtë e shuar fiken qirinjtë...


(2008)

©Artan Gjyzel Hasani