si gurët e shahut pasi loja ka mbaruar
mbretër e mbretëresha...kuaj e kështjella
ushtarë e oborrtarë...të ngrënë a të
gjallë
në të njëjtën kuti mbyllen,
ashtu në të fundmen ditë
sekondat, minutat, javët,
muajt, vitet që kujtesës sonë sillen…
çdo gjë që sot kemi
dhe ajo çka pas nesh mbetet
gjithshka pra…
gjithshka…
sikur të mos kish qenë kurrë
brenda një arke dikur do tretet…
kur dyert janë mbyllur dhe trokitje s’ka
e asgjë e kësaj bote më s’të çudit...
kur lumenjtë e shpresës
janë mbytur në një rrudhë
vjen një ditë kur ti kupton
se gruaja e fundit që të pret
është e panjohura vdekje...
ajo që kurrë nuk harron,
e vetmja dashnore e përpiktë,
e ndërsa ndjen se jeta po ikën
kurreshtja për castin e fundit zë udhë…
lërmë pra të mendoj për vdekjen, e dashur,
krahët…përqafimi…puthja e saj
si do jenë vallë?
thonë e errët eshte ajo,
por ndoshta edhe plot dritë…
vdekja hidheron ata që kurrë s’jetuan…
ata që nga e panjohura e jetës
kishin aq shume frikë…
por sado e huaj të jetë
e njohur do më duket...
shumë do më dojë...
kur pranë do t'më struket
do bëj sikur e dua
nëse vërtet…siç thonë…
vdekja është grua…
mos vdis para meje, e dashur…
të lutem…
prit edhe pak…
më mjafton ajo çka brenda meje vdiq
për sa kohë isha gjallë…
kur ftesë e Vdekjes të vijë
le t'më nxjerrin të parin nga dhoma…
jam mësuar të rroj me shumë dashuri,
por kurrë me dy kufoma…
të lutem mos vdis para meje, e dashur,
me vdekjen lërmë të të tradhëtoj…
të shkoj i pari unë…
t’i ngop epshet e saj…
dhe ta vë në gjumë
e kur ti atje të vish
në krah të të marr
të jem prapë i yti…
i yti edhe në varr…
mos vallë po kërkoj shumë?
(5 Nëntor, 2010)
©Artan Gjyzel Hasani