Gjithshka është çështje Rastësie, miku im,
çështje Mosrastësie…
Rastësisht ti nuk je fëmija që u copëtua sot nga predha...
Rastësisht ti nuk je sot në karrigen elektrike...
Rastësisht ti nuk je sot piloti bombardues...
Rastësisht sot ti nuk je aty ku vriten dhe vrasin...
Rastësisht sot unë po shkruaj këtë poemë e jo nekrologjinë tënde...
Rastësisht te gjithë ne
mburremi që
AKOMA
nuk jemi vrasës,
hajdutë,
dhunues,
përdhunues,
zjarrvënës,
helmues...
Mburremi në kurriz të Mosrastit.
Por nëse
jo rastësisht
të vjen për të mos vrarë,
për të mos vjedhur,
për të mos dhunuar,
për të mos përdhunuar,
për të mos helmuar,
për të mos djegur,
atëhere
shko në një lëndinë, miku im,
këput një manushaqe
dhe mbille aty ku nesër do të jetë varri yt...
I shkrumbuari,
i vjedhuri
i dhunuari
i djeguri
i helmuari
varri yt.
Dhe mos harro:
Jo gjithnjë lulja është syri i virtutit.
Më shpesh është perçja e vesit.