21.2.09

Gruaja e vetmuar...

Pranë oxhakut këtë natë dimri
c’mendon,
c’kërkon?
Prej vitesh lule s’të dërgojnë.
As letra,
as puthje.
gungaci gjuhëprerë telefon
dhe
pasqyra,
mikeshë e vjetër
vazhdon
të flase gjuhën e saj,
alfabet thinjash,
rrudhash,
hiri,
shkretëtirës së gjinjve
pëshpëritur,
oazit tashmë të tharë,
qendër e trupit tënd
neveritur,
një zë,një mërmërimë
urëve të padjegura pritur.
Ah tingull i ri,
kush do të të shpikë ty,
kush do të të pëshpërisë
carcafëve të nëpërkëmbur,
pantoflave përmbys?
Kush do të rënkojë
djersitjes së shpirtit
heshtjen alarmante të këtij luksi të zi
kombinezionesh të qelqta,
relike e pavlerë
sirtarësh harruar,
sintetikë komode dritash të zbehta?!
Të hëngri kjo heshtje,
të bluajti,të griu
komfortit të kushtueshëm
si pluhur të shpërndau
e si dorë dembele
kurrë nuk të fshiu…
Qan,qan lotë të hidhur,
faqeve të bardha përmjerë,
me tymin e cigares
buzës së mbyllur
fosile puthjesh me pritjen përzjerë…
C’mendon,
c’kërkon?
Shkëlqim brilantesh duarve të tua,
masha e hekurt që me to lodron,
niset rrëmbimthi pasqyrës së vjetëruar
që sa pak fsheh,që sa shumë tregon…
Më pas…një krismë,
thërrime,thërrime,
pasqyrë e pagjuhë
s’do të flase më kurrë,
a thua je më e qetë,
grua e vetmuar,
oxhakun përpara…
hijen pas mbi mur…?