20.2.09

PERVJETORI (tregim)

Të kish qenë vërtet një flutur budallaqe që i ish afruar zjarrit më shumë nga sa duhej ? A mund të kish bërë ndryshe vallë?
Sidoqoftë ishte tepër vonë për të menduar gjëra të tilla. Tani ajo ndodhej në këtë vagon të errët e të pistë të trenit të mallrave që lidhte dy qytetet sëbashku. Më saktë, qytezën ku ajo punonte me qytetin ku jetonte. Qytezën ku nuk e priste askush vec orëve të gjata e të mërzitshme të punës me qytetin ku e priste ai, njeriu i ëndërrave të saja, i shoqi. Atë ditë kishin përvjetorin e parë të martesës së tyre.
Prania e saj në vagonin gjysëm të errët të një treni mallrash nuk e bënte gruan e re dhe të brishtë një flutur dhe as vagonin e vjetër zjarr.
Zjarri ndodhej disa metra më tutje në trajtën e një djaloshi të panjohur që në atë ecje të zvarrë që treni kish bërë duke kaluar mes qytezës, i kish zgjatur dorën rrëmbimthi gruas së re që priste anash shinave, duke e futur fluturimthi brenda asaj vjetërsire të hekurt.
Atë gjë te cuditshme që kish dalluar në sytë e ndritshëm të djaloshit në castin fluturues , ndërsa dora e saj e brishtë i ishte dorëzuar aq dëshirëplotë dorës së fuqishme të tij, ia kishin përforcuar qartë fjalët e vetme që ai kish pëshpëritur qetësisht brenda gjysëmerrësirës së vagonit.
“Si nuk pate frikë që hype me mua këtu? Ku e di ti që unë nuk të bëj asgjë? Kur të vinë tunelet…”
“Ti nuk do të guxosh të më bësh asgjë!” ish përgjigjur ajo e shokuar nga ajo mikpritje e zymtë që po i premtonin minutat e ardhëshme të udhëtimit.

Treni i vjetër gjarpëronte zvarritur shinave që asaj i ishin dukur si gjithmonë të ngjashme me udhët e destinit. Një destin që domosdoshmërisht do të kalonte nëpër tre tunelet që do shfaqeshin pak minuta më vonë…Më tutje shtrihej lugina e zymtë mes malesh edhe më të zymtë…dhe pas tyre qyteti ku e priste përqafimi dhe krahët e ngrohtë të dashurisë…
Vecse disa vjet me pare i kish pritur me padurim ato tunele…E sapo dashuruar me atë që sot e priste tërë gëzim të festonin njëvjetorin e martesës…Sa e sa puthje të ndaluara për sytë e të tjerëve kishin fshehur ato tunele…Sa e sa pëshpërima dhe rënkime pasionante, tërë ajo zhurmë dalldisëse e dashurisë së konkretizuar…shurdhuar nën kumbimin e rrotave të hekurta që përshkonin tej përtej ato tunele…
Por sot gjithshka ishte aq ndryshe…Ideja se tunelet paskëtaj mund të shndroheshin në një kujtim të dhimbshëm. vrastar dhe aq të padëshirueshëm papritmas i kish zhvendosur cdo mendim tjetër…
Ka momente në jetë kur destini është aq afër dhe aq konkret saqë pothuajse mund ta prekësh me dorë.
Nuk i kish shkuar kurrë ndërmënd që ky djalosh i ri , flokegjate, nofullgjere dhe lekure piste të cilin e kish njohur rastësisht vec një jave më parë , ky djalosh të cilit nuk i dinte as emrin, të bëhej kaq papritur strumbullari i shumë mendimeve dhe ndjesive që kishin tashmë më shumë lidhje me pasigurinë se sa me kuriozitetin.

“Si nuk pate frikë që hype me mua këtu? Ku e di ti që unë nuk të bëj asgjë? Kur të vinë tunelet…”

Tunelet donin edhe nja 5 minuta të shfaqeshin…Dy te parët ishin të shkurtër…E cmund t’i bënte ai në ato pak caste që treni do hynte nëpër to? I treti ishte i gjatë…tepër i gjatë dhe mëse i favorshëm që djaloshi të mbante premtimin e tij torturues.

Në trurin e saj paniku i fillimit ia la vëndin një qetesie në dukje kapitulluese…Duhet të mbronte veten nga krahët e tij të fuqishëm. Kish ngulur sytë në trupin e djaloshit dhe për herë të parë kish dalluar tiparet e tij, fytyrën ku spikasnin nofullat e gjëra mashkullore dhe trupi i lidhur…Jo. Ajo nuk mund të bënte asgjë për të përballuar mashkullin që i mbështetur pas dritares së vetme të vagonit vazhdonte të thithte cigaret që i ndizte njërën në bishtin e tjetrës.
Mosperfillja e tij ndaj pranisë së saj atje në atë qosh të vagonit e bente ne sytë e gruas të re edhe më të sigurtë për atë që pritej të ndodhte…
“ O zot…sa mendjelehtë ish treguar….Mund te kishte pritur në stacion…ndonjë makinë e rastit do të kalonte patjetër…Fundja i dashuri i saj atje larg…mund të kish pritur…sic e kish pritur sa e sa herë…O Zot…c’kish qenë tërë ajo ngutje e pamenduar…Vallë…destini ? “

Ideja se nga casti në cast mund të gjendej e përdhunuar e kish mpirë të tërën. Mpirja i kish hequr fillimisht brishtësinë e natyrshme të qënjes së saj…pastaj ankthin…dhe në fund …frikën.
Nuk ndjente frikë cuditërisht. Ndjente vec mllef. Më shumë për vetveten se sa për djaloshin ezmer…

“O Zot…Mbromë…dhe më jep forcë …” Ketu i ndërpritej lutja…Forcë për cfarë ? Për të përballuar atë trup të fuqishëm që edhe pse I kthyer me kurriz nga ajo përsëri dukej tepër kërcënues …?
“ O Zot…mbromë…mbromë dhe bëj që ai të ndryshojë mendjen e tij të keqe…”…

Nuk pati kohë të conte deri në fund lutjen e saj…Tërë rrapëllimë treni hyri në gojën e tunelit e cila ishte shfaqur aq papritur pas një kthese….
Në errësirën e plotë kish dalluar një dritëz cigareje të fluturonte jashtë dhe….e mbledhur në qoshen e saj ish përpjekur të mirrte me mend atë që mesa duket kishte filluar të ndodhte…Djaloshi tani duhet të ishte fare pranë saj dhe në të qindën e sekondës ajo do ndjente duart e tij mbi trupin e saj… Por…befas si një feksje…gjithashtu rrapëlluese…u shfaq drita në fund të tunelit dhe një cast më vonë treni përsëri gjarpëronte mes luginës së humbur….
Djaloshi ishte akoma i palëvizur…aty…i mbeshtetur pas dritares së vetme dhe po ndizte një cigare tjetër , si gjithmonë pa i hedhur as edhe një vështrim presë së tij …

Gruaja e re kish lëshuar disi atë tendosje të detyrueshme instinktive të trupit që i kish falur hyrja në tunel…Asgjë nuk kish ndodhur…Zoti e kish dëgjuar lutjen e saj…Deri në tunelin e dytë kishte akoma edhe shumë kilometra. Kështu që ajo do kishte kohe jo vetem t’i lutej përsëri Mirëbëresit të saj , por edhe të mendonte më me qetësi situatën e papritur në të cilën e kish futur dëshira për të qenë një orë e më parë në krahët e atij burri bjond që e priste me një tufë me lule në duar diku në vendin ku ai priste gjithmonë të shtunave kthimin e saj nga qyteza e humbur…

“Zemra ime, nesër kemi një vjetorin e martesës sonë! Do ta festojmë sic e meritojmë: me lule, qirinj, dashuri dhe sex!”…Fytyrën e saj e kishte përshkruar një tis i lehtë ngjyrë rozë dhe zemra i kish rrahur fort…Kish harruar ku ndodhej dhe padashur kujtimi i fjalëve të të shoqit i kish vizatuar një buzëqeshje naïve në buzët e thara…Kishte mall…shumë mall…sikur të kishte vite pa e parë…I mungonte butësia e tij…zëri i tij i ngrohtë…sytë e paqtë me atë vështrim pothuajse fëminor edhe kur ishte i zemëruar…ndjeu shumë mall për atë dhomëz që ishte bërë streha e dashurisë së tyre fiks një vit më parë…Ah sa do donte të ishte në këto caste aty…ta zbukuronte me lulet që i kish sjellë ai…të vishej me fustanin që i pëlqente atij…dhe pastaj..nën dritën e qirinjve të premtuar të bënin dashuri si kurrë ndonjeherë më parë…”

Një lëvizje e beftë e djaloshit e kish përmëndur nga ajo parajsë kujtimesh . I kish ardhur inat që ai e kish parë të buzëqeshur. Edhe ai kish buzeqeshur…më saktë…sytë e tij nuk kishin ndricimin e verbër të fillimit…Kishin një tjetër ndricim…Më njerëzor…Më ftues…
Por nënqeshja që kish pasuar atë buzëqeshje të papritur e kish zhveshur përsëri këtë imazh ndofta të paqenë , thjeshtë pjellë të dëshirës së gruas së re që Zoti ta dëgjonte përsëri lutjen e saj…
Kish nënqeshur…pa folur asnje fjalë…

Befas përsëri goja e errët e malit u shfaq për të dytën herë dhe për të dytën herë rrapëllima kumboi në tërë qënjen e saj duke e bërë të përjetonte atë që nuk kish ndodhur më parë..e që do ndodhte tani…

Tuneli i dytë ishte fare i vogël…As edhe një puthje nuk mund të jepej tamam në ato sekonda të pakta errësire…Këtë gjë ai e dinte mirë, por mesa dukej e dinte edhe gruaja e re e cila cuditërisht e kaloi qetësisht këtë shans të dytë të asaj që e kish quajtur destin…

Kish hedhur vështrimin nga dritarja…Lugina qe shtrihej në dy anët e shinave dhe dy kodra që shfaqeshin diku larg në të dy anët e tyre i kishin ngjasuar gruas së re cuditërisht me një trup të shtrirë femre…me kofshët e hapura…me gjinjtë e bëshëm…mes së ciles depërtontë rënkueshëm ai tren i vjetër mallrash…Një grua që gjithsesi dukej e nënshtruar dhe në pritje…Silueta e djaloshit ezmer dukej sikur e ndihmonte në këtë përfytyrim…Përdhunues i dhunshëm…i ashper..i zhurmshëm…renkues si treni i hekurt…por jo i vjetër si ai…
Në të vërtetë djaloshi nuk kish shfaqur asgjë të dhunshme..asgjë të ashpër…asgjë të frikshme vec atyre fjalive tronditëse të atij fillim që asaj i dukej sikur kish ndodhur shumë kohë më parë…dikur në një të kaluar të largët e të parrezikshme tashmë…

Për herë të parë e kish parë djaloshin disa ditë më parë kur kishin udhëtuar në të njëjtin autobus…Kjo kish ndodhur dy herë dhe në të dy rastet djaloshi kish qenë i qeshur dhe i sjellshëm në ato pak fjalë që kishin shkëmbyer…Madje në mëndjen e saj ajo e kishte quajtur të këndshëm dhe simpatik…

Por tani në tërë këtë orë të pafund udhëtimi ai nuk kish folur asnjë fjalë të vetme. Do kish dashur të fliste me të. Të përballej me atë që nuk dinte…atë të panjohurën torturuese…Ideja se ai donte ta përdhunonte atë i deshifrohej në disa caste si një dëshirë normale e nje mashkulli për ta zotëruar gruan e re trupbrishtë. Pra…ai e dëshironte atë. E deshironte dhe…aty…mes atij vagoni të pistë…
Atë ditë..pikërisht atë ditë ndjehej e dëshiruar nga dy përsonat më të skajshëm të universit të saj erotik, nga ai, bashkëshorti i saj, njeriu që ajo njihte më shumë se cdokënd tjetër,njeriu që do ishte bashkëudhëtari i saj i përjetshëm dhe nga ky djalosh këtu, një i panjohur i parëndësishëm në jetën e saj, një njeri që ndoshta nuk do e shihte më kurrë në jetë…
Ajo kurrë nuk i ish dhënë një të panjohuri…madje as edhe ndonjë të njohuri…I shoqi kish qenë i vetmi mashkull i jetës së saj të deriatëhershme…
Netëve të vetmuara mes epshesh kish masturbuar me imazhe burrash të panjohur, zakonisht tipa të fuqishëm dhe muskulozë si ky djaloshi këtu të cilët e kishin trajtuar ashtu sic nuk ishte trajtuar kurrë nga i shoqi, si një kurvë të bindur , të gatshme e të nënshtruar ndaj fuqisë mashkullore që fantazia e saj e materializonte ne organe të mëdhenj e të fortë dhe në gjokse të dirsur leshatorë…

Djaloshi vazhdonte cigarepirjen e tij me sytë ngulur pikërisht andej nga do të shfaqej goja e fundit e malit…Ajo gojë nga e cila gruaja e re do të dilte në mos e kafshuar, e ndryshuar përjetë…

Cuditërsht nuk i ish lutur më Zotit…ndërsa goja e betontë mes malit ish shfaqur me tërë urinë e saj…Rrapëllima shurdhuese tashmë nuk e godiste në stomak, por diku , në fundbarkun e saj…Sytë i kish ngulur te dritëz e cigares së djaloshit…Ajo akoma vazhdonte të lëvizte sëbashku me dorën e tij…ndërsa treni ishte penetruar tërësisht në atë vaginë malore që kundër tërë strukturave anatomike udhëhiqte drejt trupit, nën gjinjtë - kodra dhe më pas drejt gojës së asaj femre me të cilën i kishte përngjasuar lugina mes malesh gruas së re….

Dikur ajo levizi…bëri ca hapa mes errësirës…ndaloi një cast…por cigarja vazhdonte të flakëzonte në dorën e atij tjetrit….U perpoq të bënte zhurmë, një zhurmë sa për ti tërhequr vëmëndjen djaloshit dhe cigares së tij…por më kot. Rapëllima kish marrë tonet rënkimtare të malit të përdhunuar keqaz…
Instinktivisht kish pëshpëritur “O Zot…mbromë….mbromë nga…”…Nuk e dinte tashmë se nga se duhet ta mbronte ai Zot që e kish mbrojtur dy herë më parë…
E pashpresë gruaja e re ishte mbledhur në qoshen e vagonit duke mallkuar zhurmën e llahtarshme…Kish filluar ta urrente këtë tunel tashmë…më shumë se sa në fillim, por jo për të njëjtën arësye…

Penetrimi i malit kish mbaruar…Kish qenë më i dhimbshëm se penetrimi i një virgjëreshe…Treni i kish mbaruar tre orgazmat e tij të rutinës…Përtej shfaqej qyteti…

Gruaja e re nuk donte ta besonte që ai tunel i fundit kish mbaruar aq shpejt…Ashtu sic ishte…me kokën e fshehur pas gjunjëve te saj të mbledhur kish qëndruar edhe për disa minuta akoma në atë ëndërrmakth të pazakontë….
Papritur treni kish ndalur…
“Zonje arritëm…Mirupafshim!”…
Kur kish ngritur kokën ai nuk ishte më aty…Ish zhdukur si me magji…Perdhe dukej vetëm një mbeturinë e cigares së tij të sapohedhur…Tymi që akoma dilte prej saj ishte e vetmja gjurmë e tij…Ish ngritur e trullosur dhe akoma më e trullosur ish vërsulur mbi atë bisht cigareje dhe e kish thithur tërë afsh…Pastaj kish shkruar te dritarja e vetme e vagonit…ish mbështetur ca caste aty ku ish mbështetur ai…kish flakur jashtë mbeturinën e tij në trajtë cigareje…dhe..kish zbritur e qetë shkallët e hekurta…

Diku…te vëndi i zakonshëm e priste i shoqi…U përqafuan më fort se zakonisht…lulet ranë përdhe…u puthën plot mall, por atë natë në shtrat…nuk kishin bërë dashuri…
Ajo nuk kish dashur.

©artangjyzelhasani