20.2.09

Çarku (tregim)

“Ke përdhosur simbolin e lirisë së qytetit!”.
Vec këte fjali kish mbajtur mend nga aktakuza e gjatë e prokurorit. Kish bërë plot pesë vjetë burg për përmjerjen që në dehje e sipër i kish bërë publikisht një statuje që simbolizonte Lirinë e Qytetit, pikërisht në castin e inaugurimit të saj nga kryebashkiaku. Pesë vjet nën vështrimin dhe vëmëndjen e syrit të gardianëve.
Pasi doli nga burgu e ndjente se përsëri ishte nën vëmëndjen jo vetëm të policëve, por edhe të qytetarëve. Qyteti tij që shquhej si qytet liridashës nuk mund ta harronte lehtë atë. I dukej sikur të gjithë e tregonin me gisht…”Ja, ai, përdhosësi i Lirisë!”
Por jeta vazhdonte të rridhte dhe vëmëndja e njerëzve ia la vëndin indiferences, indiferenca injorimit, dhe një ditë atë e harruan. Askush nuk e njihte më. Askush nuk donte t’ia dinte më për të.
Banonte në derën ngjitur me mua. Jetonte vetëm. Gjithnjë i dehur dhe i palarë. Askush nuk ia dinte emrin. Nuk i fliste askujt. Nuk punonte,.E siguronte jetesën nga shitja e zogjve dhe pëllumbave.
Ditën e parë që nisa të jetoja në atë pallat, shumë vjet më parë, duke dashur të njihja fqinjin tim, kisha trokitur në derën e tij.. Dera ishte hapur duke më sjellë në hundë një erë të rënde që vinte nga brenda shtëpisë. Para meje ish shfaqur ai.
I pistë, me flokët e gjatë të pakrehur e me një vështrim prej të shkalluari. Nën sytë e cakërdisur i dalloheshin lehtesisht qeset e varura si dëshmi të pagjumësisë, lodhjes dhe dehjes. Papritur pas shpinës së tij, mbi supet, ishin vërsulur drejt meje një mori zogjsh dhe pëllumbash nga të gjithë racat. Duke klithur, kënduar dhe duke rrahur fort flatrat dhe krahët e tyre ata mbushën për një cast korridorin e gjatë të pallatit dhe duke lënë në ajër puplat e tyre u rikthyen përsëri brenda asaj shtëpie të panjohur për këdo.

Më vonë nuk nuk merrej më me pëllumbat dhe kanarinat , por me zogj të egër pylli, ca fluturakë të vegjël që i quajnë kryearëza. Kryearëza është një zog liridashës që e urren kafazin më shumë se sa kanarina apo papagalli. Jo shumë këngëtar, por liridashës.
Dilte që në mëngjez me nje cark në xhepat e grisur të zhaketës tërë zhul dhe merrte rrugën drejt shinave të trenit që të conin drejt pyllit të vetëm të qytetit.

Dikur kisha parë pakëz të hapur derën e tij. Kisha trokitur…dhe pasi askush nuk I ish përgjigjur trokitjes sime e kisha shtyrë derën e rrjepur e të palyer prej shumë kohësh dhe isha gjëndur në një sallon të errët që kutërbonte nga një erë glasash dhe vjetërsirash. Një derë dhome u hap dhe duke më bërë shenjë me dorën në buzë që të heshtja fqinji misterioz më ftoi brenda.
Nuk do ta kisha besuar që në atë ambjent të qelbur mund të jetonte një krijesë njerëzore. Kudo nëpër mure syri të zinte kafazë të vjetër e të ndryshkur, me portat e shqyera e të varura nëpër tela…Një mbeturinë qylymi e mbushur plot me gëlasa dhe njolla balte të tharë. Në cep të saj një komerdare e zeze plot mballoma që mesa kuptova i shërbente si jastëk fqinjit tim. Një batanije vrima-vrima varej mbi një kafaz pranë dritares e cila ne vend të xhamave kishte ca kompensata të cara nga të cilat depërtonte një rreze e hollë drite.Po të mos ishin ato të cara vështirë se mund të kuptoje që jashtë ishte ditë.

Në tërë atë apartament të mbushur plot e përplot me kafazë ndodhej vec nje zog. Një kryearzë. Cuditerisht e pastër me atë shkëlqim të puplave dhe pendëve të veta… me atë gri dhe të zezë spërkatur me pikëla të verdha nën një tis të kuqerremtë…
Ai, i pistë dhe i palarë si gjithnjë, më hodhi një vështrim ku buhavitja e syve dhe sklepat mbi qerpikët e errët nuk më penguan të dalloja një ndricim dinak…dicka si mburrje…si entuziazëm…Edhe zogu kish kthyer kokën e tij nga unë…si i tulatur nga vizita e një njeriu tjetër në atë banesë që mesa dukej ishte vec pronë e atyre të dyve. Përsëri gishti i tij mbi buzë dhe vështrimi iu përqëndrua te porta e mbyllur e kafazit. Tashmë vështrimi i syve të kryearëzes kish rënë mbi të.
Në dhomë nuk pipëtinte asgjë.Dukej sikur gjithshka kish ngrirë. Papritmas, me një lëvizje të beftë dora e tij e stërvitur hapi portën e kafazit dhe në fraksione të sekondës zogu doli dhe nisi të fluturojë nëpër dhomë, një fluturim që më shumë se sa arratisjes i kish ngjasuar një shëtitjeje lozanjare të ndërprerë për pauza të vogla mbi kafazët e boshatisur të varur mureve.

Papritur, nga poshtë një minderi të vjetër e të leckosur, ai nxorri një cark në të cilin ish vënë një copëz buke. E vuri në mes të dhomës dhe me një lëvizje të fortë të dorës më shtyu mua jashtë dhomës dhe pasi doli edhe vetë mbylli derën aq sa të mund të vrojtonte carkun dhe një orë të vjetër dore që e mbante në xhepin e grisur.
Ndërsa unë akoma nuk e kisha marrë veten nga habia, pashë se si ai në dorë mbante edhe një bllok të lerosur në të cilin kishte disa shënime pothuajse të palexueshme në atë errësirë që mbulonte atë apartament…
Pas disa minutash, tik-takun ritmik të akrepavë të orës së vjeter e kish ndërprerë kërcitja karakteristike e carkut.

Me një ngazëllim të paparë ai u vërsul brenda dhomës dhe në vend që të shkonte drejt carkut ku përpëlitej kryearëza , u ul mbi minder dhe me një mbeturinë lapsi shënoi dicka në bllok dhe më pas më hodhi një vështrim trumfues duke ma tundur bllokun dhe orën e vjetër para syve…
Zogu akoma përpëlitej në cark, ndërsa unë, më keq se zogu, përpëlitesha në carkun e kureshtjes sime. Ndërsa fqinji u drejtua për nga vendi ku ndodhej carku, une shfrytëzova rastin të lexoja fletën e bllokut.
Ajo që lexova më tronditi. Vendin e kureshtjes si me magji e zuri një marramendje që pothuajse më la pa frymë. Kuptova se cfarë ndodhte brenda atij apartamenti që tashme më ngjasonte si nje kafaz që mbante kycur një njeri dhe një zog.
Në bllok ishte një evidencë e plotë, një statistikë për t’u pasur zili e tërë lëshimeve nga kafazi dhe kapjeve në cark të kryearëzës së shkretë gjatë cdo dite. Ishte shënuar saktësisht koha e lirisë së saj që nga dalja nga kafazi e deri në castin e zënjes në cark. Një ritual që ndodhte gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje vone sic tregonin edhe orët e shënuara mbi fletët e zverdhura të bllokut.
Matje statistikore e lirisë së zogut.
Nuk ishte dicka që kishte të bënte më kulturën e rritjes së zogjve…Ishte dicka pëtej zogjve dhe njerëzve….ose dicka mes tyre…që nuk i përkiste as njërit e as tjetrit…

Zhurma metalike e portës së kafazit më ndërpreu leximin. Kryearëza ndodhej përsëri brenda kafazit ne pritje të liridaljes së rradhës. Ai qëndronte me duart ne xhepa…I përqëndruar me sytë mbi zogun. Pas pak euforia që të jep pushteti mbi lirinë e tjetrit ish larguar prej tij për t’ia lënë vendin një dridhjeje…më pas një ngashërrimi…e më pas lotët rrodhën mbi rrudhat e asaj fytyre të murosur që tashmë dukej se kish harruar për praninë time në atë dhomë.
Kisha mbetur i palëvizur herë duke vështruar atë e herë zogun e shkretë që fillimisht lëshoi ca cicërrima…e më pas vec shihte ngultazi herë mua e herë padronin e tij. Më kish bërë përshtypje që kryearëza nuk kish cicërruar as gjatë fluturimit e as kur ish kapur në cark, por vetëm pasi ishte gjendur brenda në kafaz.

Sot ai vdiq. Mes pisllëkut…gëlasave…kafazëvë të braktisur me dyer të shqyera një mjek konstatoi shkakun e vdekjes. Komë alkoolike me pasojë vdekjen.
Më pas nën urdhërat e një polici bashkiak dy jevgj morën kufomën e mbështjellë me qylymin e lerosur dhe e transportuan drejt një makine të vjetër varrimi.

Ishin larguar të gjithë pa e vënë re kryearëzën e tulatur brenda kafazit.

Ndërsa po thithja i përhumbur cigaren një cicërrimë e zgjatur më kish përmëndur. Futa dorën brenda kafazit dhe mora në dorë zogun e tulatur që dridhej sikur të kish kuptuar vdekjen e të zotit…
Pasi e pashë për të fundit herë atë krijesë të vockël që më lidhte me fqinjin e humbur hapa pëllëmbën e dorës dhe me një të shtyrë të krahut e nisa lart në fluturim…
Kryearëza bëri një xhiro rreth meje që po e shikoja i mrekulluar në mes të oborrit dhe u nis ne fluturim drejt qiejve…Një rrotullim mbi ndërtesat përreth…edhe një tjetër…pastaj u fut mes një turme tjetër zogjsh…fluturoi bashkë me ta…në disa pikiata dhe pirueta mahnitëse…pastaj u shkëput nga ajo skuadrilje zogjsh të lirë…
Po e ndiqja me sy atë fluturim …kur papritur krahët iu këputën dhe …o Zot…ish përplasur i pajetë përdhe…

* * *
Po zogjtë përse vdesin vallë?

©artangjyzelhasani