9.8.09

ATDHEU (pa taboo) poemë-esse

Flasim për Atdheun,
luftojmë për Atdheun,
qajmë për Atdheun,
mburremi për Atdheun,
vritemi për Atdheun,
kujdes Atdheun,
amanet Atdheun...
dhe harrojme Vetveten,
atdheun tonë më të parë,

Të flasim për të,
të luftojmë për të,
të qajmë për të,
të vritemi për të,
të mburremi për të,
të turpërohemi për të,
se është i vetmi Atdhe
i YNI
që sa pak i ngjan atij tjetrit,
ATDHEUT me gërma kapitale,
atij që askush
nuk mund t'ia shtojë apo heqë
lavdinë dhe madhështinë.

Përse t'ia shtojnë?
Përse t'ia heqin?
Përse u dashka patjetër
të bëjmë dicka për të?
Fundja,c'bën ai
kur ne lindim,jetojmë,vdesim,
në gëzimin tonë,
në fatkeqësinë tonë,
në lotin tonë,
në brengën tonë???
A ia ka parë kush lotët Atdheut?

ATDHEU.
A nuk jetojmë në të njëjtin Atdhe
bashkë me miliona batakcinj,vrasës,hajdutë?
A nuk themi fjalët më poshtëruese,
gënjeshtrat më të mëdha
në gjuhën e Tij?
A nuk bëhen të mirat dhe të këqijat,
nderimet dhe turpërimet
në emrin e tij?
A nuk e valvisin cdo ditë flamurin e Tij
edhe duar të ndyra predikuesish të paskrupullt
që flasin në emër të Tij?

ATDHEU.
Flamuri i përket atij.
Na përket edhe neve.
Por ne jemi
unë,ti,lypësi,mësuesi,prifti,kurva,gjykatësi,dikta torët,
vrasësit,bankierët,kopilat,murgeshat,heronjtë,pija necët,hajdutët,virgjëreshat,ushtarët,policët dhe poetët…
Të gjithë njëzëri themi:
ATDHEU !

Cili vrasës s'e ka kënduar Himnin Kombëtar?
Më mirë se kushdo e këndojnë diktatorët.

ATDHEU.
Kush do të më tregojë c'është Atdheu?
Dheu i atit?
I gjyshit apo i stërgjyshit?
E c'di Atdheu për ta,
për timin a tëndin fjala vjen?

ATDHEU është egoist
më shumë se një fëmijë i përkëdhelur.
dhuroji Atij jetën tënde,
përkëdheljen tënde,
dashurinë tënde,
pasurinë tënde,
besën tënde
e ATDHEU s'do të të harrojë.
Falja batakciut më të ndyrë të gjitha,
edhe jetën tënde
e natyrisht
edhe ai s'do të të harrojë kurrë.

ATDHE
Të nëpërkëmbën,
ATDHE
Të poshtëruan,
ATDHE
Të zbardhëm faqen,
ATDHE
Të lartësuam!
C'gjepura!
C'fjalë boshe!

Njerëz dhe njerucër!
Kur do ta kuptoni se ATDHEU
bën pa virtutin tonë
po aq sa edhe pa vesin tonë?

Kur vdiqët,ju vranë,ju përdhunuan,
kur nënat qanin mbi varret tuaja
a vdiq ATDHEU?
ATDHEU është i pavdekshëm
si cdo gjë pa jetë.
Ata që lindin,
lindin në Atdhe.
Ata që vranë,
vranë në Atdhe.
Ata që u vranë,
u vranë në Atdhe.
Teli me gjëmba
rrethoi në Atdhe.
Lulet që celin,
celin në Atdhe.
Edhe ato që vyshken,
vyshken në Atdhe.

Në Atdhe luhet komedia
e njerëzit qeshin të lumtur.
Në Atdhe luhet tragjedia
e njerëzit fshijnë lotë të hidhur.
Në Atdhe luhet edhe drama
e njerëzit s'dinë të qeshin a të qajnë.

A iu kujtua ndonjërit Atdheu,
ndërsa bënte dashuri,
martohej a divorcohej,
pronësohej a shpronësohej,
varfërohej a pasurohej,
vritej a vriste,
lindëte a vdiste?

E kujtoj ATDHEUN kur në caste delirante
e pandeh veten hero.
Më pas,
si pas cdo deliri,
qesh si i marrë,
qaj si i cmëndur.

ATDHEU.
Brodha nëpër botë dhe kudo njerëzit ngritën supet,
kur dëgjuan emrin e Tij.
Brodha nëpër Atdheun tim e kudo njerëzit ngritën supet
kur dëgjuan emrin tim.
Brodha nëpër VETVETEN time e kudo vrava e më vranë,
dashurova e më dashuruan, mallkova e më mallkuan,
përkëdhela e më përkëdhelën, fala e më falën,
urreva e më urryen, por më njohën.
Më thanë "JE TI!".

ATDHEU.
Kujt duhet t'i krenohemi me emrin e Tij?
E c'vlen krenaria, për sa kohë nuk e dimë pse duhet
D-O-M-O-S-D-O-SH-M-E-R-ISH-T
të jemi krenarë???

ATDHEU.
Ne dimë të vrasim.
Të na vrasin.
Të vetvritemi.
Dimë edhe të varrosim të vrarët.
Dhe vetveten.

ATDHEU.
Cdo cast i dhurojmë
gropa të reja,
solemnisht i quajmë varre
që më pas të krenohemi me to.
Ne s'dimë të dhurojmë jetë.
Vdekje po.
A thua jemi lindur të vdekur
për t'u mburrur gjithmonë
me të rënët,
me të vrarët,
me të vdekurit?
ATDHEU u lodh nga vdekjet tona.
U neverit.
U ngrit e u largua
nga ceremonia jonë e përjetshme
mortore.
Teksa kazma grryen trupin e tij,
teksa duart shkulin lule nga trupi i Tij,
oh sa lehtë Ai rikuperohet,
rigjenerohet
nga skeletët tanë të bujshëm.

Vetmohimi.
Kjo fjalë e shkruar keq
në memorjen e kohës.
Gjer kur, gjer kur?

E mohuam veten me gjithë c'kishim
e pastaj ia falëm ATDHEUT
atë cka mbeti prej saj.
Më pas ,të tjerë vetmohues
me lopata vetmohuese në duar
nxituan drejt
vetmohimeve të reja.

ATDHEU
ka origjinalin e tij
të papërsëritshëm,
të paprekshëm
dhe miliona kopje të keqpërdorura
si fotografi porno
në xhep të ushtarit
që i mburret shokut:
"E sheh këtë?
Eshtë dashnorja ime!"

Politikanët zihen për kopjet e Tij
se edhe ata janë ushtarë,
natyrisht,
masturbues publikë të ATDHEUT kopje.

ATDHEU.
Në radiografinë e Tij
duken vec skeletët tanë
me një gjurmë të zezë në gjoks
aty ku mund të ishte zemra jonë e vetmohuar
ose vendi ku ne vetvritemi
aq natyrshëm nga thika vrastare
e kohës së humbur
në kërkim të
madhështisë së varreve-
-ideali ynë i përjetshëm,
kolera jonë e pashërueshme-

Varret tona-
argumenti ynë i vetëm
në Gjyqin e Fundit.

Virtytet e ATDHEUT.
(ATDHEU nuk ka vese).
Megjithatë, o burra, të luftojmë që ATDHEU të jetë
krenar, mburracak, mospërfillës, egoist,
i fuqishëm, kokëfortë, i pari në cdo gjë,
më i miri, më i bukuri, më i mëncuri, më i përsosuri.
(A ekzistoka përsosmëria, do të pyesë një nxënës mësuesen e biologjisë).
Vishjani këto tipare një njeriu dhe do të shihni
sa i ftohtë do t'ju duket,
se si ftohtësia e tij do t'ua ngrijë buzëqeshjen.

Sa gabim!
Le të flasin të tjerët për ATDHEUN tonë në gjuhët e tyre
e ne për të tjerë ATDHE në gjuhën tonë…

ATDHEU është vërtet i dashur vetëm
në mitologjinë e Mërgimit,
një yll që sa më larg t'i qëndrosh
aq më i bukur duket.

Zoti kurrë nuk na fal bashkë me jetën edhe ATDHEUN,
këtë copë të rastësishme dheu,
por na fal Vetveten tonë.
Një copë dhe dhe hija jonë mbi të.
Aty cdo cast jeton dhe vdes
nderi, vesi, dashuria, urrejtja, lulja, thika, epshi, mëria,
mirënjohja, mosmirënjohja, besa, gënjeshtra, miqësia, armiqësia.
Aty jemi ne –njerëzit.
Pastaj është dheu.
C'rëndësi ka që fëmijët tanë do ta quajnë
atë copëz dheu ATDHE?
C'dinë ata për ne?
Po ti për mua?
Cdo njeriu një copë dhe,
cdo cope dheu-një njeri.
..............................................
Në varrimin e tim eti dikush solemnisht përmëndi ATDHEUN...
Për herë të parë babai im po merrte një copë ATDHE me vete...
Qesha hidhurazi dhe ndjeva keqardhje për ATDHEUN e folësit,
për ATDHEUN që për pak caste kish mbetur me një copë më pak...


(shtator, 1996)