21.2.09

Qetesia (tregim)

Në autobuz ndodhen nja gjashtë vetë…Një çift pleqsh…një grua e re me një foshnje motake në prehër…une dhe shoferi. Të gjithë të lodhur në këtë orë të pasmesnatës…
Është një mbrëmje e qetë dhe nuk pipëtin asgjë veç zhurmës monotone dhe ritmikës gjumëndjellëse të lëvizjes së autobuzit.
Fëmija zgjohet dhe na shikon të tërëve në dritë të syrit. Në atë dritë që mund të ketë mbetur në sytë tanë të lodhur e të përgjumur…
Papritur ai fillon të qajë.
Të ëmën e ka zënë gjumi. Po buzëqesh në gjumë. Duket më e bukur. Edhe çifti i pleqve flë sup më sup me duart e ngatërruara me njëri tjetrin si dy fëmijë të lumtur…
Autobuzi tani ngjason me një djep.
E qara e fëmijës ndërkohë është kthyer në ulurimë dhe ulurima nga ana e vet është e padurueshme…Sytë e fëmijës drejtohen nga të mitë. Çuditërisht shumë inatçorë. Si sy të rrituri…
I buzëqesh, por ai egërsohet edhe më shumë…Tani nuk dalloj më inat në sytë e foshnjës. Ka shumë urrejtje në atë vështrim. Një urrejtje gjithashtu prej të rrituri. Sa më shumë ia ngul edhe unë sytë, aq më shumë cingëruese lëshohet ulurima e tij. Aq më shumë sytë e tij i ngjajnë një goje nga e cila çuditerisht kam frikë. Një gojë që mund të më përpijë. Ndjej tërë qënjen time të squllet dhe të zvogëlohet…Instinktivisht mbahem fort pas sediljes ku jam ulur.
Ulurima tani ngjason me një rënkim të tmerrshëm që sa vjen e afrohet te unë…
Papritur ngrihem në këmbë dhe më një lëvizje të ashpër ia rrëmbej fëmijën së ëmës dhe e ia zë frymën me dorë...Ai përpëlitet ca sekonda ...tund këmbët dhe pastaj trupi i tij i vogël lëshohet i tëri. Ia hedh përsëri në prehër të ëmës që akoma buzëqesh në gjumë.
Përsëri ka rënë qetësia. Të gjithë po flenë. Autobuzi ka ndaluar dhe shofer nuk ka. Nuk pipëtin asgjë.
…………………………........
Një zhurmë e njohur më përmend nga kllapia…
Fyti më është tharë. Jam mbuluar nga djersët dhe mezi mbushem me frymë…Përmendem…
Do doja të isha në gjumë dhe gjithshka të kish qenë një ëndërr e keqe nga e cila do më zgjonte një telefonatë që do më thoshte që sonte gruaja ime shtatzënë lindi femije...e unë të rendja drejt tyre për të dëgjuar të qarën e parë të tij…
Por jo.
Është zhurmë sirene. Duart e policëve më mbërthejnë fuqishëm dhe përfundoj në makinën e tyre…

(2008)