Zhurmë e tmerrshme. Fqinji im i sipërm u zgjua. Fle në divan. Prej pesë vjetësh më bën zgjimin. Pasi ai sistemon divanin e mallkuar zgjohem edhe unë një kat më poshtë. Gogësimë. Ora 06. Lakuriq. Kërkim pantoflash. Më pas ecje zbathur deri tek pragu i banjës. Rikthim në dhomë. Përsëri kërkim pantoflash. Gjetje e tyre diku nën krevat. Njëra prej tyre është përmbys. Pas disa castesh përpjekje për të urinuar pikërisht në mes të vrimës së mbushur me ujin autokton të pajisjes së porcelantë. Jam i suksesshëm në urinimin mëngjezor. Precizion që do ta kishin zili shumë qitësa. Hapje e rubinetit. O Zot! Harrova që në këtë orë s'ka ujë. Dora e majtë hap një rubinet tjetër. Uji i depozitës më sjell disi në vete duke më larguar deri diku zemërimin dhe bezdisjen që më fal cdo mëngjez fqinji dhe divani i tij i mallkuar. Furcë dhëmbësh. Tubet paste dhembësh i deformuar dhe kahektik. Duhet shkuar në supermarket. Rreshti i dytë djathtas. Sapunë, shampoo,pasta dhëmbësh. Një bjondinë elegante. Buzëqeshja e saj. S'ja kujtoj ngjyrën e syve.
Peshqiri i verdhë që fërkohet dhunshëm pas syve dhe veshëve të mi. Pasqyra e vogël e banjës. Fytyra ime e parruajtur. Rrathët e fryrë poshtë syve si dëshmi e përditëshme e një gjumi të shqetësuar.Akuariumi me peshq të kuq në korridor. Tim biri i pëlqejnë shumë. Më falni! Harrova që s'kam fëmijë dhe kjo për arësyen komode se s'kam grua.
Majtas një pikturë nga e cila s'të vjen asgjë e mirë, vec një ere të thartë boje vaji(që natyrisht nuk e llogaris te gjërat e mira). Djathtas dera e jashtme e apartamentit tim. Pas saj një varëse aspak e kushtueshme rrobash, ku midis të tjerash është varur edhe një dylbi e thyer. Cdo mëngjez, në këtë orë, nëpër tru më kalon mendimi që ajo dylbi e padobishme duhet flakur te plehërat. Megjithatë ajo vazhdon t'i ndërprese rrugën vështrimit tim. Në fakt prania e asaj dylbie atje i dedikohet mendimit tjetër që më përfshin zakonisht në ato caste: Jam lakuriq në mes të korridorit. Të ndez një cigare, të rruhem apo të vesh mbathjet? Zgjedh më shpesh të tretën, jo i shtyrë nga ndonjë lloj morali, por thjeshtë për arësye komforti gjenital. Ndoshta edhe nga që akti i të veshurit të mbathjeve i përshtatet më shumë mëngjezit se sa mbrëmjes.
Xhezveja e kafesë. Dyshe. Një lugë kafe, një lugë sheqer. Edhe ujë. E mesme. Zilja e telefonit. Si zakonisht numër i gabuar. Edhe kjo telefonatë idiote bën pjesë në arsenalin e atyre gjërave që kanë marrë përsipër zgjimin tim. Unë e di këtë gjë,ndaj edhe nuk e përplas receptorin në ndonjë cep të dhomës.
Rrufitje e kafesë. Kërkim cakmaku në njërin nga qoshet e tryezës së mbushur plot me revista dhe gazeta në një kaotikë të admirueshme dhe pas pak tym që mbush dhomën. Ndërkaq mëngjezi është larguar. Tani s'është më mëngjez. Sepse s'ka më asnjë mbeturinë gjumi në tërë qënjen time. Xhezveja e ndotur dëshmon për këtë.
E di që pas pak do të dal në rrugët e pista dhe frymëmarrja ime do të tjetërsohet nën ritmin e ulurimave të ca krijesave me rendiment të ulët intelektual, zakonisht flokëpakrehur e sypalarë, që të zënë rrugën duke të ofruar një tufë qepë të njoma apo majdanoz. Unë kurrë nuk bie viktimë e kurthit të tyre agrar. Do të vazhdoj rrugën mes kambistëve të mërzitshëm që profesioni i ri ua ka kufizuar fjalorin në dy fjalë:euro dhe dollarë. Pas pak do të gjendem para një grupi manjakësh,adoleshentë dhe të thinjur bashkë,që me njërën dorë në xhep jargaviten para një grumbulli gazetash erotike që i zoti, mesa duket,e ka parë të arësyeshme t'i shesë pikërisht nën këmbët e turmës në konkurencë të plotë me asfaltin.
Do të vazhdoj rrugën time pa harruar që dy-tri herë të rrezikoj jetën para rrotave të makinave të cmendura. Ndoshta do të hyp në një autobus që mbase do më shpjerë në bregdet. E ndjej që me të hyrë në të do ta kuptoj që njeriu do të ishte më pak fatkeq po të mos kishte shqisën e nuhatjes. Një erë e tmershme sqetullash, tymi cigareje dhe një kutërbim polifonik trupash do të më detyronte të zbrisja në stacionin më të afërt. Në rrugë do të më presë e njëjta pamje: pluhur,zhurma dhe turma njerëzish që vrapojnë,ulurijnë,zihen e qëllohen,pa harruar të kruajnë edhe hundët apo të pështyjne aq natyrshëm e të qetë, thua se bulevardet janë krijuar enkas për hundëkruajtjen e neveritshme.
Do të vazhdoj rrugën time drejt buzëdetit duke takuar njerëz që ndjehen heronj dhe pasanikë menjëherë pas një gote "Martini", veteranë militantë që kanë harruar të vdesin, vajza gjokslëshuara në kërkim të dashnorëve të tyre injorantë, gra trashaluqe që zgjedhin midis leckave të Gabit ndonjë kombinezion të zi dalëboje me të cilin shpresojnë të joshin bashkëshortët e tyre impotentë,pasojë e një masturbimi kolektiv fizikoshpirtëror dhe përsëri, përsëri pluhur,vapë dhe një mërzitje e tmerrshme e paralajmëruar nga ai zgjim po aq i tmerrshëm i rutinës.
Më në fund,ndofta,do të arrij buzëdetit!Atje ku para meje,në shekuj,kanë qëndruar dashnorë,poetë të cmendur,njerëz ndërgjegjevrarë,guacka,leshterikë apo vejusha fatkeqe marinarësh…
Megjithatë unë nuk dua të rrezikoj kaq shumë për të arritur buzëdetit. Kjo për arësyen e thjeshtë se me të arritur atje do të më ikë edhe dëshira për një shplodhje buzëdetit. Ndaj në djall deti dhe buza e tij!
Ecje e paqëllimtë nëpër dhomë.Telekomanda që nën gishtin e madh të dorës sime të djathtë shfaq në ekranin e TV stacione të shumta që ia lënë vendin njëri- tjetrit me një bujari të rrallë. Sikur të lëviznin kaq shpejt edhe ditët e kota të jetës sonë! Qesh. Nënqesh.Kjo ide më ka ardhur edhe një herë tjetër në mendje. Kam qenë ndoshta duke dhjerë porcionin e drekës diku në halenë e drunjtë të një stacioni të humbur treni.
Teshtij. Ndoshta duhet të vesh dicka. Pasqyra e dhomës së gjumit. Vazhdoj të jem simpatik,ndonëse kam filluar të thinjem e të shpyllëzohem në pjesën e përparme të kokës. Vështroj me kujdes pjesën e shpyllëzuar. Shkretëtirë e ndritshme. Nën të oazi i trurit tim. Kënaqem. Më pas vetëkënaqem. Pas pak harroj gjithshka për vetëkënaqesinë time dhe nxitoj t'i telefonoj dikujt. Në momentin e fundit ndrroj mendje. Kam dy alternativa për ekzekutimin e kësaj dite të paradënuar me vdekje. Njëra është të shkoj tek e dashura ime. Tjetra të qëndroj në shtëpi e të shkruaj.
Në fakt është disi e bezdisshme që pikërisht tani që ora po i afrohet 11-tës paradite, të mos kesh vendosur akoma se c'do të bësh. Ka dicka intriguese të llojit fitim i kohës së humbur në castin kur ti e kupton se, sidoqoftë, dita ka filluar, mëngjezi i thinjur struket diku pas carcafëve të zhubravitur të krevatit dhe…ora 12 varet mbi fytyrën e ditës si një neveri e vogël e mbarsur me zhurma gatimi,tenxheresh e enësh dhe me të qara kalamajsh që gjyshet ua ndërpresin lojën enkas për të ngrënë drekë. Pikërisht në këtë orë të vështirë më duhet të vendos për dicka.
Ta zëmë se do të shkoj te Klara. Do të përqafohemi dhe puthemi, si gjithmonë, me zjarr. Kemi katër vjet që puthemi me zjarr..Zjarri në fillim na djeg si prush buzët dhe faqet. Më pas e marr prushin e lartpërmendur në duart e mia dhe e vendos mbi gjinjtë e saj të vegjël. Flakë...dritë...një shpërthim në formë rënkimi dhe pastaj...djersë dhe hi mbi njërin nga divanet e mëdhenj. Më pas cigare,pak konjak unë,pak ujë të ftohtë frigoriferi ajo dhe zjarrfikësit largohen të padukshëm në trajtë mbathjesh të nëpërkëmbura apo prezervativesh të cvirgjëruar dhunshëm…
Klara është tip sexy,por jo aq e zgjuar sa të kuptojë që të qënurit sexy është gjysma e punës. Gjysma tjetër, të ndjerët sexy,për të është më shumë një lloj shtirjeje apo mode kolektive,se sa një realitet shpirtëror individual. Ndoshta është kjo arësyeja që zjarri fiket kaq shpejt duke i lënë urët e shpirtit tim vazhdimisht të padjegura. E thënë ndryshe,ajo djeg vetëm njërën urë timen, atë që duket në qendër të trupit tim. Ajo nuk mund të kuptojë se sa orgazma të njëpasnjëshme përjeton truri dhe shpirti im në cdo cast që kalon. Kur unë i them që cdo ditë e jetës s'është tjetër gjë,vecse një orgazëm e shpirtit,ajo buzëqesh nga bukuria e frazës,por jo nga thellësia e saj. Kjo gjë më bën të ndjehem i mjerë,por e di se s'mund ta ndryshoj dot.
Sidoqoftë,Klara vishet bukur dhe është shumë xheloze, madje edhe për rivale që mund ta konkurojnë nga ekrani i një filmi televiziv. Kur dalim shëtitje shpesh më duket se nuk shoqërohem nga dashnorja,por nga bodyguardi im. Nëse vështrimi im do të ndalojë mbi një gjoks që spikat pa sutien,nën ndonjë bluzë të hollë,do të ndjej në cast shtërngimin e dorës së saj mbi krahun tim…
Dikur, në raste të tilla, unë i bindur e sakrifikoja pamjen e këndëshme dhe bëhesha disi "djalë i mirë",por kohët e fundit vështrimi im rebelohet në mënyrë të pakthyeshme. E ndjek me sy deri në fund gjoksin në fjalë dhe pastaj i qetë i kthehem Klarës:"E mirë,ëëë?".
Si të gjitha femrat xheloze,edhe ajo bie viktimë e vështrimit të syrit dhe është tepër e pazonja për të testuar vështrimin e shpirtit tim.Ajo për shembull,s'mund ta imagjinojë që unë shpirtërisht mund të "drogohem" edhe nga një pesëdhjetëvjecare,mjaft që të dalloj në fytyrën e saj gjurmët e trishtimit për jetën që ikën kaq shpejt.
Xhelozia e Klarës përpiqet të më mbrojë nga sulmet e tridhjetëvjecareve të bukura. Ajo nuk frikësohet nga ndonjë femër që s'e gëzon privilegjin e bukurisë.Kjo gjë natyrisht është në avantazhin tim dhe nuk e lë pa e shfrytëzuar.
Në fakt jam ca besnik,megjithëse thonë që besnikëria e rradhit mashkullin pranë teveqelit në hierarkinë e vlerave. Kurrë s'e kam tradhëtuar Klarën për një më të bukur. Për më të zgjuar shumë herë. Edhe sikur t'i rrëfehesha asaj për këto tradhëtira,ajo nuk do t'i besonte duke parë pikërisht mosbukurinë e tyre fizike.
Një bukuroshe xhelozohet për më të bukurat,një e zgjuar për më të zgjuarat...Shyqyr që Klara nuk është shumë e zgjuar, se përndryshe, një Zot e di se si do të shkëputesha nga ethet e masturbimit.
Më vonë Klara mund të vërë një cd me rrok simfonik dhe me një gotë whiskey në duart e vogla do të tundë trupin e hijshëm para meje. Unë do ta shoqëroj me sy këtë dëshmi bukurie,pa harruar të mendoj me keqardhje për urët e padjegura. Ndoshta pas disa minutash do të bie përsëri viktimë e epshit fizik dhe për të dytën herë do të përpiqem të dhuroj zjarr pa u ngrohur aspak.
Më pas,për orë të tëra,fluturim mes planesh për të ardhmen tonë të përbashkët,tema e saj e preferuar në intervalet e seksbërjes. O Zot,sa budallackë!Kemi katër vjet që bëjmë plane për të ardhmen tonë,a thua se këto katër vjet nuk bëjnë pjesë në të,por në një extra time që s'dihet se cila perëndi bujare na e fali!
Ajo do të llomotisë tërë entuziazëm për minuta të tëra,por unë që e di që entuziazmi është privilegj i atyre që kënaqen me pak,preferoj më mirë të përtyp në heshtje ca bajame të pjekura që zakonisht ndodhen në të majtë të kolltukut ku unë qëndroj gjithmonë në dhomën e saj të mobiluar këndshëm.
Do të vijë një moment kur ajo do të kërkojë mendimin tim për dicka dhe unë i hutuar e i pavëmendshëm do ta pyes:"Si? Cfarë the, se nuk e dëgjova?"
Ajo zakonisht lëndohet në raste të tilla, ndërsa unë përpiqem ta qetësoj duke i përsëritur për të mijtën herë që është shumë sexy. Klara do të më falë në mosvëmendjen time dhe do të vazhdojë planifikimin e saj mizor. Në të,hë për hë, bëjmë pjesë vetëm ne të dy. Në një fazë të dytë ne (sipas saj) do ta zgjerojmë familjen tonë edhe me dy femijë. Zakonisht në të tilla caste unë mbytem dhe nuk realizoj dot gëlltitjen e bajameve dhe të planifikimit të saj mizor. Jo se nuk më pëlqejnë fëmijët, por mendoj se ata do të ishin 4 vjecarë që nga koha kur ne filluam të mendojmë për ta. Madje,po të llogaris edhe intensitetin e planeve të Klarës, fëmijët tanë tani do të ishin në prag të pensionit…
Më mirë të qëndroj në dhomën time e të shkruaj. Askush deri më sot nuk ka lexuar ato që shkruaj unë. Jo se nuk dua që t'ia jap këtë kënaqësi dikujt, por se nuk e di nëse është kënaqësi leximi i këtyre rreshtave...
(1993)