Të lodhin poezitë e shkurtëra, Gabrielë?
Okay…po shkruaj një të gjatë,
por unë s’di të shkruaj poezi neutrale
të parrezikshme…
të buta…
pa “skandale”…
eunuke…
të “moralshme”…
të urta…
S'e njoh gjakftohtësinë e makinës llogaritëse
që numeron tik-taket…
e ardhshëm e të shkuar….
tik pjestim për tak bejne
zero.
tak shumëzim për tik përsëri
zero
dhe zero do të thotë qetësi.
* * *
Po shkruaj një të gjatë me vargun e pafund
si udhët që vijnë drejt meje
të frikshme…
tunduese…
varg i kalldrëmtë…
i ashpër…
“i palexueshëm” ndonjëherë…
varg i minuar plot rrokje kurvëruese…
tri pikat në fund të tij
nuk janë veçse humnerë…
* * *
Kështu, Gabriela ime,
përdëllimesh përlyer,
une jam mëkatari…
djalli…
imorali…
s’jam si asnjëri nga ata
sigurisht as si këta…
skelete narçistësh që pellgjet shkëmbejnë
gjithnjë të palumtur
si kllounë veshur në maskballon e mirësjellshme…
me bojë në vend të gjakut ngjyer…
halloween- mburrja e tyre e përjetshme…
* * *
Më fal, Gabrielë!
Nuk isha murgu që merimangave të makthit bënte filozofin e vonuar
ndërsa vetvetes i dhuronte autograf në pritje të duartrokitjes…
e as baritori i përlotur që nën qiej të cunguar
si orare filmash…9 me 11…qiej “part time”…
tundonte MonaLizën me gjethe vjeshte në duar…
“Leonardo ishte piktor …
e pse të mos jem unë poet!?”
* * *
Jo…Gabrielë…
unë isha mëkatari i bashkëshortësive të tredhura…
në dhomat luksoze mes shtretërve king- size
diku pranë pantoflave mes mbathjeve të hedhura
nën dritë abazhurësh…oh darling…so nice…
* * *
Isha mëkatari…
i ëmbli…
djallëzori…
tunduesi…
turbulluesi…
ferri…
purgatori…
rrufe dhomash gjumi
ku gënjeshtra dremit…
erdha…pashë dhe…dogja
shtretër vet’ i dytë…
* * *
Nuk isha kurre “miku”…
preferova të isha dashnor…
isha guri…
jo myshku…
“i dashur” në ndonjë rast kur me quajten
orkidet i lulëzova edhe mbi deborë
edhe kur ngrica mua vete
pa mëshirë mimozat m’i vyshku…
* * *
Isha mëkatari që ty të rënqethte
pasqyrave të qiejve ku virgjëreshat krihen
njëqind unaza larg biblës
hedhur…
mëkatet e mija me virtyte
blihen
njëqind orgazma brenda teje
kredhur…
* * *
Mëkati im është shpagim për virtytin i tij të munguar
për heshtjen kumbuese kur pranë mumjes së tij qëndron shtrirë
për djersitjen e shpirtit tënd qe ai kurrë s’ta fshiu
por mbi qerpik të ëndrrës ta la si pështymë…
për komedinë e “princit të kaltër” që zagari e luan më mirë se qeni
kur me solemnitet të kollarisur të fton:“eja grua të dalim një shëtitje
t’u tregojmë atyre se sa të lumtur jemi, vallë kaq nuk u mjafton?”…
për ngazëllimin i tij kur me nje unazë të rreme te prangosi e u bë i yti “burrë”…
për “burrërinë” e tij që femrën te ty vret çdo ditë
kur mbi mishin tënd jargavitet e buzët s’ t’i puth kurrë…
Mëkati im është shpagimi që nuk duket,por që ndihet flakërues në erë…
është semafori i kuq para te cilit duke sharë nëpër dhëmbë
ti Gabrielë ke ndaluar me mijëra herë…
* * *
Kështu, Gabriela ime,unë isha mëkatari…
rënkimi që ty gjithmonë të ndiqte pas
fundbarkut tënd epshdrithëruar
larva që zjarresh mbeti shtatzënë
dhe lindi aq shumë flutura llavash përvëluar…
* * *
E mban mend, Gabrielë ?
Ka qenë qiell nëntori…
i vrenjtur…
plot me re…
atëhere i beja rimat ABAB
dhe fjalën NE
e rimoja me TRE…
Ti rendje nëpër shi…
e zbathur…
lakuriq…
natës së errët
lëkurën tënde ia ende…
frikë kishe...
ankth…
tmerr…
agoni…
flokë përbaltur…
epshndezur…
rendje në vetmi……
dhe prapë frikë…
sa frikë…
shkrepëtimat shuanin
hije katedralesh
gjinjve të tu lëshuar…
vrapoje…
vrapoje…
edhe pse s’të ndiqte askush
s’doje të ishte ëngjell,
por thjesht një djallush…
kalldrëmet e ftohtë
me ikjen tënde ngrohe…
e qeshura ime
të ndoqi përsëri…
pastaj…prekja ime…
dritëhijesh turbulluar…
o Zot sa shumë shi…
vetetimë mbuluar…
pastaj me rradhë të tjerat…
orgazma…
rënkimi…
vdekja…
A nuk ishte mrekulli?
* * *
Gabrielë…Gabriela ime…
cdo natë femra që zgjova te ti
arratisej nga gruaja që kish ai
dhe në shtratin tim ku flinte një tjetër
(histori dashurie…sa bota e vjetër…)
me hapa të lehtë…të lehtë shumë…
më shfaqej si ëngjëll veç me buzëqeshje veshur
zhuritshëm në vesh më pëshpëriste…
” Zgjoju shpirt….erdha unë!”
* * *
Gabrielë,e mban mend sa shumë më admiroje,
më deshe, më jepeshe, kur nuk më kuptoje…?
Ish koha kur unë të robëroja me lirinë time për të gabuar…
Pastaj erdhi heshtja…
* * *
Hyj sot në shpirtin tënd, Gabrielë dhe s’bëj dot autoportretin tim….
Pasqyrat tregojnë harta memece ku vështrimi im blu
sajon kontinente lumturie që kurre s’egzistuan…
oqeane të stuhishëm…tashmë të qetësuar…
nën ta Atlantidat e mia-brigje pa urë…
Po qiejt e mi, Gabrielë?
Ah…qiejt….
Qiejt s’shënohen nëpër harta kurrë…
* * *
Edhe sikur nesër gjithshka të fillonte nga e para,
unë
përsëri do të të kërkoja ty, Gabrielë,
do të të flisja,
si dikur,
do të të puthja,
si dikur,
do të të dashuroja,
si dikur,
do të cmëndesha për ty,
si dikur,
do të tërboja
pasionet, muzat, epshet, ëndrrat, ditarët,
netët, muzgjet, orgazmat, kalendarët,
lotët, stacionet, aeroportet,
amësinë dhe abortet,
pritjet, përcjelljet, shakatë,
shëtitjet magjiplotë në mesnatë…
Më pas
do të të harroja,
si dikur.
Më pas
do të të kujtoja,
si sonte.
* * *
Nuk të pëlqej më, Gabrielë …?
Oh come on…
Jam veshur siç doje ti…
siç isha atë natë…
ngjyrën e muzgut për kostum…
një gjarpër të zi për gravatë…
në dorë një të vjedhur qiri…
* * *
Eja, Gabrielë, të dehemi së bashku…të dalë ku të dalë….
fuck them all and come with me…
avujve të rumit t’u dorëzohemi ngadalë
të harrosh kush jam unë…të harroj kush je ti…
Eja të çmëndemi së bashku…të dalë ku të dalë…
fuck them all and come with me…
po marr me vete dhe Marien e Përdalë…
të lajë mëkatet që nuk bëre ti…
Eja të djersijmë sëbashku…të dalë ku të dalë…
fuck them all and come with me…
merr me vete dhe Valentinin e Përdëllyer
t’i mësosh të fshehtat që vetëm ti i di…
Eja në shtratin tim…të dalë ku të dalë…
fuck them all and come with me…
një mëngjez të panjohur do ikim çalë-çalë…
harruar unë…
harruar ti…
* * *
Të kithta cigaret që tymosim pafund
ndërsa lojë-nikotine në distancë luajmë…
kur unë e fik…ti e ndez atje larg…
dhe në të njëjtën tavëll i shuajmë…
por mos rri gjatë e trishtuar …mos rri…
në ajrin që thith jam dhe unë…
Santa Klausin e shpirtit duarbosh mos e lërë…
rrahjet e zemrës në shpirt të boshatisur…ti e di…
jehojnë pak edhe pse kumbojnë aq shumë…
* * *
M’u lodhën sytë duke të pritur ty,Gabrielë…
qerpikët më kanë ngrirë…qepallat m’u mbyllën…qiejt nuk janë më…
(a kanë retë atdhe?)
Është koha kur gjumi s'do më duket vdekje,
por një aventurë e re…
* * *
Kur të vdes do vdes pa frikë në sy
që ti të mos trembesh, Gabrielë…
I dehur nga vdekja do të të pëshpëris
psallme të pakënduar kufomash për të gjallët
dhe ti shndrroji në ninulla…
Por mos ua mëso zogjve këngën time
se dehin qiellin…
qielli retë…
dhe fluturimet rrëzohen…
hapësirat ngatërrohen…
dielli verbohet…
hënën e ha ujku…
ujqërit njëri-tjetrin…
e pastaj…
kush do e ngrejë dollinë e fundit?
* * *
Se unë s’jam poet…Gabrielë,
ndaj s’më lexon dot…
Jam grryrje…
Jam drogë…
Jam ethe…
Jam tre pikat në fund të vargut tim…
Retiçenca jote e përjetshme…
©artangjyzelhasani