Esteti
gjuhëtari
studiuesi
analisti
esseisti
filozofi
teoricieni
publicisti
poligloti
historiani
etnografi
etnologu
etimologu
politologu
psikologu
opinionisti
komentatori dhe faqekuqi Sorollopi çdo ditë zgjohej me të njëjtën dilemë në mendje. Si ishte e mundur që koka e tij poliedrike përdorte vetëm një jastëk? Si zejtar i fjalës që ishte luante gjithnjë me të. Jastëk. Jasht-e-ke. Jazëk. Fjala jastëk nuk i krijonte asnjë asocijacion me gjoksin dërrasë të krijesës thatanikoanemike që flinte pranë. Thatanikja kish kohe qe priste në shtratin e tij t’i ndodhte ndonje kar-aksident. Sigurisht më pas mund të bëhej e shquar si gjithë të aksidentuarit e kësaj bote. E shquar nuk nënkuptonte detyrimisht edhe e shqyer, gjë të cilën e ëndërronte jo më pak se famën. “Bashkë me shqyrjen vinte edhe fama”, thoshte një fjalë jo edhe aq e urtë popullore. Por fatkeqësisht kar-aksidentet ndodhnin gjithnjë e më rrallë në atë asfalt të çarçaftë. Kish kohë që ëndërronte të shtypej, ta shtypnin, ta shqyenin pa mëshirë dhe ta linin ashtu të përgjakur e pa ndihmë poshtë shemrave anatomike të rrotave, gomave dhe çdo objekti tjetër sferik të aftë për të shtypur.
“Kam nevojë për një kar-aksident!”, i kish deklaruar një mëngjes thatanikja.
Esteti
gjuhëtari
studiuesi
analisti,
esseisti
filozofi
teoricieni
publicisti
poligloti
historiani
etnografi
etnologu
etimologu
politologu
psikologu
opinionisti
komentatori dhe faqekuqi Sorollopi kish rënë në mendime.
“Kar-aksident? Me C apo me K gërmën e parë? Ti e di që nuk më pëlqejnë gabimet e shtypit apo të shtypurit gabim.”
“Me çfarë të të vijë më mbarë ty. Car apo Kar, shtypje apo shtyp, ç’rëndësi ka? Nuk mundem më. Njerëzit vdesin nga aksidentet, kurse unë po vdes nga mungesa e një aksidenti. Po vdes për një kar-aksident…nuk e kupton një gjë kaq të thjeshtë?”, kish mbaruar thatanikja ligjëratën e saj.
Esteti
gjuhëtari
studiuesi
analisti
esseisti
filozofi
teoricieni
publicisti
poligloti
historiani
etnografi
etnologu
etimologu
politologu
psikologu
opinionisti
komentatori dhe faqekuqi Sorollopi kish rënë akoma më shumë në mendime. Pas arësyetimesh të gjata e sofizmash të stërholluara, si zejtar i fjalës që ishte, i dha dum hallit që e kish zënë sipas një rregulli të thjeshtë gjuhësor. Zgjidhje profesionale dhe aspak ndërgjegjevrarëse: në alfabet gërma C ishte gjithnjë përpara gërmes K. Kështu, i hypi makinës dhe furishëm vërshoi drejt thatanikes. Për çudinë e tij ndjeu një goditje të fortë diku në shasinë e trupit të tij të squllur kur rrotat e shfryra prekën eshtnajën e thatanikes. Goditja kish qenë aq e fortë dhe e papritur saqë …u zgjua.
Pas pak kuptoi që thatanikja vazhdonte e qetë gjumin përkrah tij, ndërsa ai për të mijtën herë kish rinisur lojën tunduese me gërmat C dhe K si zejtar i fjalës që ishte…Falenderoi me mirënjohje renditjen alfabetike ku C-ja është gjithnjë para K-së dhe pasi u kthye në krahun tjetër ia futi gjumit paq, si gjithnjë pranë thatanikes.