5.7.09

Tim biri

Në tre vjetorin tënd,biri im,
babi do të të dhurojë një kukull syzezë
dhe mami një kauboj-kukull do të të dhurojë,
ti me sy do na kërkosh përreth
e kaubojin me kukullën do vësh të vallzojnë…

Do të lodhen syckat e tua,por më kot,
se prindërit e tu nuk janë atje,
jetojmë larg njëri-tjetrit në botë,
për të mos u bërë kurrë më tre…

Të lodhur do të të vënë të flesh,
me dhuratat tona shtrënguar në gji,
do t’i puthësh e do t’u urosh “natën e mirë”,
siç do të na uroje po të ishim bashkë tani…

Vite më vonë në përvjetorë të tjerë,
mes miqsh e mikeshash,i rritur, zbukuruar,
buzët do të drejtosh nga e dashura jote,
kur plot naze do të të thotë “Gëzuar!”

Pranë meje do të vish për një çast,
“Sikur të ishte edhe mami!” do të thonë sytë plot shpresë
e në mëndje do të të vijnë lëkundur
kauboi i ngrysur dhe kukulla syzezë…

Do të hysh pas pak në dhomën tënde,
ku ca gjëra janë akoma si dikur,
krevati, kukulla, kauboi
dhe një fotografi e prindërve mbi mur…

Një cigare do të ndezësh përhumbur,
ndërsa lotët do të bien me dënesë
mbi kauboin e vjetëruar vetullngrysur
dhe mbi kukullën e bukur syzezë…

Nga dhoma e partit do të të thërrasin,
krahët e së dashurës në vallëzim do të të ftojnë,
sic doje dikur që vetullngrysuri
me kukullën syzezë të vallzojë…

Vonë-vonë kur miqtë të kenë ikur,
do më shohësh të përlotur e të vetmuar,
syzezën kukull do të pyesësh i tronditur,
“Nënë,ku je të më urosh “Gëzuar!”…?”

(1995)